Sot (10 qershor), shënohet dita e 11-të e protestave në kryeqytet, me të njëjta kërkesa: kundër projektit të Zvërnecit, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Thirrje ka dhe kundër opozitës.
Sikurse ditët e tjera, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin ‘Skënderbej’ drejt Kryeministrisë, e më pas marshuan drejt rrugëve të kryeqytetit. E dominuar nga të rinjtë, por që nuk mungojnë as fëmijët, e kanë bërë protestën paqësore dhe pa incidente. Nuk kanë munguar flakadanët, por në thelb kultura e protestës qëndron jo e dhunshme. Pankartat kanë qenë dhe mënyra se si protestuesit kanë nxjerrë në pah pakënaqësitë e tyre, e shpesh i kanë ndërthurur dhe me meme. Gjithashtu nuk kanë munguar as simbolet kombëtare. Protestat e të rinjve kanë marrë dhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, teksa dhe AP jep drejtpërdrejtë pamje nga Tirana. Më 9 qershor, një grup protestuesish dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejtë ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes të së rinjve të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave, transmeton tvklanal.




