Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit, pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e tij.
Në një konferencë për media, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se bazuar në raportimet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe nga qendrat e votimit, procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe në përputhje me procedurat e parapara.
“Sipas të dhënave preliminare që kemi marrë nga mbi 98.5 për qind e vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 445 mijë e 622 qytetarë, që përbën 22.74 për qind të numrit të përgjithshëm prej 1 milion e 959 mijë e 962 votuesve me të drejtë vote”, deklaroi Radoniqi.
Ai theksoi se në dhomën operative të KQZ-së po pranohen vazhdimisht raportime nga terreni, por shumica e tyre lidhen me çështje teknike dhe nuk kanë ndikuar në rrjedhën normale të procesit zgjedhor.
Krahasuar me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025, pjesëmarrja në votime deri në të njëjtën orë rezulton më e ulët. Në ato zgjedhje, deri në orën 15:00 kishin votuar 585 mijë e 635 qytetarë, ose 29.29 për qind e trupit votues prej 1 milion e 999 mijë e 204 votuesve.
KQZ ka njoftuar se konferenca e radhës për media do të mbahet në orën 19:30, ku do të prezantohen të dhënat e pjesëmarrjes në votime deri në orën 19:00, si dhe informacionet për përfundimin e procesit të votimit në të gjithë vendin.




