POSTIMET E FUNDIT

Hoxha nga Praga: Integrimi në BE mbetet zgjedhje strategjike e Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë në një panel mbi zgjerimin dhe trendet aktuale të Bashkimit Evropian, gjatë forumit GLOBSEC të zhvilluar në Pragë të Republikës Çeke.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha ka riafirmuar se integrimi evropian mbetet zgjedhja strategjike dhe e pakthyeshme e Shqipërisë, duke u ndalur në progresin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Procesi i anëtarësimit në BE mbetet përparësia jonë kryesore kombëtare. Ai qëndron në zemër të përpjekjes sonë për zhvillim, ka udhëhequr vazhdimisht reformat tona, ka forcuar institucionet tona dhe ka ndihmuar në transformimin e Shqipërisë në një demokraci funksionale të bazuar në sundimin e ligjit”, është shprehur Hoxha.

Ai ka theksuar se hapja e 33 kapitujve të negociatave në kohë rekord pasqyron, nga njëra anë, vendosmërinë e Shqipërisë për reforma të bazuara në meritë, dhe nga ana tjetër, angazhimin e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare për procesin e zgjerimit.

Sipas tij, ambicia e vendit është e qartë: vijimi i reformave dhe konsolidimi i rrugës drejt integrimit evropian, me synimin për t’iu afruar objektivit final çdo ditë.

Hoxha ka nënvizuar gjithashtu se Konferenca e tetë Ndërqeveritare (IGC8), e planifikuar për më 26 maj 2026 mbi raportin e vlerësimit të piketave të ndërmjetme (IBAR), do të përbëjë një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Sipas tij, kjo konferencë do të konfirmojë përmbushjen e piketave të ndërmjetme dhe do të vendosë piketat përmbyllëse për Grupkapitullin 1 – Themeloret, duke shënuar një hap të rëndësishëm në negociata, transmeton euronewsal.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB