Nga Angela Kosta, 17 Maj, 2026 (Itali)
Këto ditë kam ndjekur me kureshtje debatet publike – intervista, mllefet, mosbesimin (kjo nga zhgënjimet shumëvjeçare, keqardhje jo vetëm për artistët, letrarët, por për mbarë vendin tonë), për riorganizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve falë iniciativës së drejtorit të gazetës javore “Nacional” Mujo Bucpapaj. Nuk po ndalem gjatë të them se kjo është vërtetë një iniciativë jo vetëm për t’u lëvduar por edhe inkurajuese. Inkurajuese, pasi vetë fakti që “panorama e zhubravitur” e letërsisë, artit dhe kulturës gjatë tri dekadave të fundit, ka qenë rrënuese, denigruese, mashtruese, oportuniste, ngjiz thelbin e inkurajimit me lëvrimin pasardhës.
Sot nuk duhet të shfaqemi si kritikë të epokave – parti, sepse do të vazhdonim sërish të mbjellim dhe të korrim suksesin e falimentimit të djeshëm. Fatkeqësisht duhet të pranojmë se janë shumë pak ato gazeta apo media, portale që respektojnë:
– përdorimin e gjuhës së bukur dhe të pastër shqipe, pa fjalë të huaja, pa gabime drejtshkrimore,
– përzgjedhjen e autorëve, artistëve me vlera
– simbiozën e kritikës transparente nën spektrin shumëdimensional, pa kompromise
– dhënien e kontributit të tyre për lëvrimin e artit, kulturës, letërsisë, historisë, etj., si istitucione apo platforma serioze e prestigjioze pa përfitime
– “krijimin” e mediave për të “krijuar” zinxhirë klanesh pa kritere
– “pushtimin” e artit virtual por atë real
– dhënies së hapësirës dhe përkrahjes edhe ndaj autorëve, artistë të rinj me prurje për t’u vlerësuar e analizuar
e shumë, e shumë të tjera… po t’i rendisja të gjitha do të zgjatesha shumë…
Ja pse është më se i nevojshëm riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, një domosdoshmëri historike doja të shtoja, për të garantuar lirinë krijuese, jo të kushtëzuar nga pozitat apo opozitat partiake, por duke shpresuar që (si në çdo vend të botës), të njihet e drejta e autorit (deri dje nen ligjvënës fantazmë), i vetmi mjet ky, për të garantuar dinjitetin profesional të krijuesve, artistëve, shqiptarë.
E vetmja mënyrë për të hedhur gurin e parë drejt themelit të ndërtim – rindërtimit të një organizate të re që të jetë pa represionin e dikurshëm, tashmë i shfaqur me represion modern, veshur nën kuptimin figurativ me “Petkun Prada “, por demokratik, plural dhe transparent, pa asnjë ndikim ideologjik, politik, krahinor apo klanor, është RI-PROGRAMIMI i bazës themelore.
Ky parashtrim është mendimi im personal:
1. Të krijohet nga organizata, një komision i posaçëm fizik, i cili duhet të shqyrtojë një peticion vendor për APROVIMIN nga Ministria e Kulturës, Parlamenti, Gjykata, vetë Kryeministri, për hyrjen në fuqi të plotë, të njohjes të së drejtës së autorit.
2. Organizata të ketë:
– Selinë e saj të mëparshme,
– Financim nga shteti me fonde të mjaftueshme për të mbështetur Lidhjen, e cila do t’i përvetësojë me trasparencë të plotë për veprimtaritë e saj institucionale.
– Revistën e saj, (sipas buxhetit pse jo periodike), ku të vlerësohen apo kritikohen haptazi: artistët, autorët, shtëpitë botuese – tipografi, (të cilat botojnë 300 libra në ditë pa i lexuar fare tekstet); mendoj që kjo do të ishte e vetmja mënyrë për ripastrimin dhe prurjen e trashëgimisë së bukur letrare, duke i dhënë hapësirë kështu, jo vetëm autorëve me vlera, por edhe rigjenerimit të dinjitetit të tyre.
– Të ketë avokat mbrojtës aurotar, juridik për mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe artistëve e mbi të gjitha ndaj plagjaturës.
3. Të bëhet kërkesë (shtesë), për kërkim fondesh nga Ministria e Kulturës, për zhvillimin e konkurseve, ekspozitave, apo aktiviteteve kulturore vjetore.
4. Të krijohen marrëdhënie dhe shkëmbime kulturore me: diasporën, me Lidhjet e vendeve fqinje, pse jo virtuale me Lidhjet e vendeve të largëta.
5. Organizata të ketë përkthyes të përzgjedhur (në çdo gjuhë të huaj)
6. Ministria e Kulturës, të mundësojë botimin e veprave të arritura, nën senjalizimin e organizatës.
Vetëm kështu do të njihej me të drejtë e me të vërtetë e drejta e autorit, e do t’i jepet përparësi, dinjitet, edhe atyre që nuk mund të shpenzojnë nga xhepi i tyre, sepse nuk mund ta shtrembërojmë faktin që në Shqipëri, tipografitë botuese e rjepin autorin pa i garantuar asgjë, e pikërisht për këtë:
7. Organizata të ketë shtëpi botuese, e cila të demostrojë nëpërmjet kontratave, të artikuluara nga nenet në fuqi, se i garanton autorëve: seriozitet, promovim, shpërndarje kopjesh të veprave nëpër libraritë dhe bibliotekat e qyeteve.
Vetëm kështu autori do të rifitojë dinjitetin pa qenë nevoja t’i shesë vetë, duke u munduar të nxjerrë të paktën harxhimin e harxuar.
8. Kryesia të përbëhet nga:
a) Intelektualë me eksperiencë shumëdimensionale në fushat e artit, kulturës, letërsisë studimit, e më gjerë.
b. Organizata duhet të përzgjedhë me kujdes të veçantë përpilimin e listës së anëtarësimit.
Kjo është themelore. Nevojiten njerëz të cilët japin me të vërtetë kontributin e tyre, jo për interesa vetiake, por për progresin e organizatës dhe artit në veçanti. Në të kundërt, gjithçka do të falimentojë pa filluar ende, sepse arti shqiptar do të gjendej në të njëjtën humnerë.
10. Shpresoj dhe uroj që më 19 maj 2026,
Kuvendi i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të shpalosë një kapitull të ri historik, artistik, letrar dhe të mbetet datë sfiduese e çrrënjosjes së klaneve letrare, për interesa jo kulturore.




