Një grup investitorësh i udhëhequr nga Sergio Ramos ka arritur marrëveshjen për blerjen e aksioneve të klubit të Sevilla-s, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje nga mbyllja e sezonit në La Liga.
Edhe pse fillimisht raportohej se marrëveshja do të finalizohej pas konfirmimit të mbijetesës, palët kanë përshpejtuar procesin. Pas takimeve të gjata të mbajtura të hënën, grupi i Ramos dhe “Five Eleven Capital” kanë bindur pronarët aktualë për garancitë e pagesës. Vlera totale e operacionit kap shifrën e 450 milionë eurove, ndërsa tani pritet vetëm nënshkrimi i kontratave dhe miratimi nga Gjykata e Lartë e Sportit.
Si pjesë e marrëveshjes, pronarët e rinj do të injektojnë menjëherë 80 deri në 100 milionë euro për të përmirësuar situatën financiare dhe limitin e pagave të ekipit. Ky investim do të lejojë përforcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, duke synuar rikthimin në nivele të larta.
Kjo lëvizje mund të sjellë largimin e familjes Del Nido nga bordi drejtues për herë të parë në këtë shekull. Sergio Ramos pritet të zëvendësojë presidentin aktual, Jose Maria del Nido Carrasco, duke marrë frenat e klubit në një moment kritik.
Ky ndryshim pronësie shihet si një shpresë e re për tifozët, të cilët prej vitesh kanë protestuar kundër keqmenaxhimit të financave. Edhe pse rikthimi i Ramos si lojtar ishte i shoqëruar me debate, roli i tij i ri si pronar mund të ndryshojë perceptimin e fansave dhe të nisë një kapitull të ri për Sevilla-n, transmeton tvklan.




