POSTIMET E FUNDIT

Kompanitë kosovare prezantojnë produktet vendore në panairin ndërkombëtar “Tuttofood 2026” në Milano

Milano, Itali – Dhjetë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë ushqimore “Tuttofood 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e ushqimit dhe agroindustrisë në Evropë, që po mbahet në Milano të Italisë.

Kosova në këtë panair po përfaqësohet nga 10 kompani vendore, të cilat po prezantojnë produktet e tyre para blerësve, distributorëve, partnerëve potencialë dhe vizitorëve nga vende të ndryshme të botës.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila ka siguruar një hapësirë ekspozuese prej 90 metrash katrorë për prezantimin e produkteve “Made in Kosovo”.

Kompanitë pjesëmarrëse po prezantojnë një gamë të gjerë produktesh, duke përfshirë ushqime të përpunuara, produkte të thata nga fruta dhe perime, produkte konditorike, lëngje frutash, kërpudha, fruta mali, si dhe produkte industriale si letra të lagura dhe gota letre.

Sipas MINTI-t, pjesëmarrja në “Tuttofood 2026” paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës, rritjen e eksporteve dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare me kompani ndërkombëtare dhe distributorë nga tregjet e huaja.

Shtandi i Kosovës është i vendosur në pavijonin 6, stenda G31, ndërsa panairi do të mbetet i hapur për vizitorët deri më 14 maj 2026, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB