Përgatiti Dashnim HEBIBI
ST. GALLEN, Zvicër – Në një atmosferë të mbushur me emocione, respekt dhe kujtim për dëshmorët e kombit, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, shkencëtar i njohur shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, krijues, humanist dhe atdhetar i përkushtuar, u nderua me mirënjohje nga Këshilli Organizativ i Akademisë Përkujtimore të UÇPMB-së, e cila u mbajt më 10 maj në St. Gallen.
Kjo akademi, e cila tashmë ka hyrë në historinë e veprimtarive kombëtare në diasporë, organizohet prej 20 vitesh me radhë dhe konsiderohet si e vetmja akademi përkujtimore e këtij lloji që mbahet jashtë trojeve shqiptare. Pas një ndërprerjeje të përkohshme për shkak të pandemisë COVID-19, aktiviteti këtë vit u rikthye me një organizim dinjitoz dhe me mesazhe të fuqishme për ruajtjen e kujtesës kombëtare.
Organizatorë të kësaj ngjarjeje për sivjet ishin Shoqata “Lugina e Preshevës”, Shoqata “Medvegja” dhe Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore, të cilët u shprehën të kënaqur me organizimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se vitin e ardhshëm synojnë një akademi edhe më madhështore dhe më gjithëpërfshirëse.
Në këtë akademi u përkujtuan 28 dëshmorët e UÇPMB-së, të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, si dhe të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar ndër vite. Të pranishmit nderuan me respekt sakrificën e tyre, duke rikujtuar se flamuri kuq e zi është larë me gjakun e bijve më të mirë të kombit.
Prof. Dr. Xhavit Lipaj mbajti një fjalim tepër domethënës dhe emocional, ku theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe unitetit kombëtar. Ai u shpreh se e kaluara nuk duhet harruar kurrë, sepse liria dhe mirëqenia e sotme janë rezultat i sakrificës së shumë dëshmorëve.

“Duhet të ecim përpara gjithmonë me kujtesën se dikush ka dhënë jetën që ne të jetojmë më mirë sot. Bashkimi ynë është forca më e madhe për të mirën e atdheut,” – theksoi Prof. Lipaj në fjalën e tij.
Ai gjithashtu falënderoi organizatorët për mirënjohjen dhe vlerësimin e bërë ndaj tij, duke e konsideruar këtë nderim si një përgjegjësi morale dhe kombëtare për të vazhduar angazhimin në shërbim të çështjes shqiptare.
Figura e Prof. Dr. Xhavit Lipaj ka një lidhje të thellë dhe personale me sakrificën kombëtare. Ai është familjar dëshmorësh – me nënën, dy mbesat dhe familjarë të tjerë të rënë për atdheun – gjë që e bën angazhimin dhe përkushtimin e tij edhe më domethënës në ruajtjen e kujtesës historike dhe kombëtare.

Organizatorët bënë të ditur se kjo akademi duhet të vazhdojë të rritet dhe të marrë përmasa edhe më të mëdha në vitet në vijim. Ata theksuan se dyert janë të hapura për çdo shqiptar që e ndjen veten atdhetar dhe dëshiron të kontribuojë në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe të kujtimit për dëshmorët.
“Një gjë është e sigurt – kjo akademi nuk do të ndalet,” – u shprehën organizatorët në përmbyllje të aktivitetit, duke dhënë mesazhin se kujtesa për dëshmorët dhe sakrificën e tyre do të mbetet gjithmonë e gjallë në diasporën shqiptare dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.
Foto nga Daut LUBOJA




