Skena politike në Kosovë ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm me rikthimin e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Gjatë “Tubimit të Bashkimit”, ish-presidentja deklaroi se ky ribashkim është një dëshmi e unitetit dhe e gatishmërisë për të tejkaluar ndasitë, me synimin e vetëm ndërtimin e një shteti të fortë dhe demokratik.
Në një fjalim drejtuar simpatizantëve, Osmani u shpreh se kthimi i saj nuk është thjesht një lëvizje politike, por një rikthim në rrënjët e idealit rugovian.
Rikthimi në “trungun” e përbashkët
Osmani e cilësoi këtë moment si një bashkim shpirtrat dhe politik, duke përdorur një metaforë për strukturën e brendshme të partisë.
“Sonte para jush, nga thellësia e shpirtit, dua të them zemërplotë: po kthehem në shtëpinë time. Po bashkohemi sot jo si pjesë të njëjta të trungjeve të ndryshme, por si pjesë të ndryshme të të njëjtit trung,” deklaroi ajo.
Ajo shtoi se gjatë muajve të fundit, në takimet me qytetarët anëkënd vendit, ka gjetur një thirrje të qartë për shpresë dhe llogaridhënie, faktorë që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi.
Kandidatura për Presidente dhe amaneti i Rugovës
Gjatë tubimit, Vjosa Osmani konfirmoi pranimin e kandidaturës për një mandat të dytë si Presidente e Republikës, duke premtuar besnikëri ndaj vizionit të Dr. Ibrahim Rugovës.
“Kthimi i Kosovës në lartësinë e vizionit të “atit themeltar”. Ruajtja dhe forcimi i miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një Kosovë ku interesi i vendit mposht çdo kalkulim politik apo ideologjik.”, tha ajo.
Osmani nuk i kursye akuzat ndaj partisë në pushtet, duke i akuzuar ata për orvatje drejt zgjedhjeve të panevojshme me qëllim eliminimin politik të kundërshtarëve. Sipas saj, pushteti aktual po rrezikon aleancat jetike të vendit.
“Në njërën anë është rruga e atyre që nuk ngopen kurrë rruga e eliminimit të çdonjërit që Republikën e vendos para interesit partiak. Kurse rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, rruga e aleancave të forta dhe e respektit ndërkombëtar. Unë kam zgjedhur këtë të fundit,” nënvizoi ajo, transmeton rtsh.




