Nga Dashnim Hebibi
Winterthur, 09 maj 2026 – Një atmosferë e jashtëzakonshme emocioni, krenarie dhe dashurie për traditën shqiptare mbizotëroi në Festivalin Ndërkulturor në Winterthur, ku Ansambli “Trojet” dhuroi një paraqitje madhështore, duke bërë që zemrat e bashkatdhetarëve të rrahin fort nga emocionet dhe krenaria kombëtare.
Në mesin e shumë momenteve prekëse, vëmendje të veçantë mori edhe vogëlushi 18-muajsh, Troj Shala, i cili kishte ardhur së bashku me babanë, nënën, tezen, gjyshin, gjyshen dhe dajën për të qenë pjesë e kësaj feste shqiptarie. Me plisin e bardhë në kokë dhe me krenarinë e një fëmije që bart në zemër gjakun dhe identitetin shqiptar, Troji sikur donte edhe ai të jepte kontributin e tij në ruajtjen e traditës sonë kombëtare. Këto shqiponja të vogla, që po rriten larg atdheut, nesër do ta kujtojnë me krenari se sa e shenjtë dhe e vlefshme është gjuha shqipe, kultura jonë dhe trashëgimia kombëtare.

Ata janë shpresa e vazhdimësisë sonë në mërgatë. E gjithë kjo sakrificë dhe përkushtim po bëhet pothuajse pa asnjë përkrahje institucionale nga shtetet tona shqiptare. Është dhimbje kur sheh popuj të tjerë që prezantohen me mbështetje të fuqishme shtetërore, ndërsa shqiptarët, edhe pse tashmë kanë dy shtete shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë, vazhdojnë të mbështeten kryesisht në forcën, zemrën dhe sakrificën e mërgimtarëve. Shpeshherë institucionet kujtohen për mërgatën vetëm kur afrohen zgjedhjet dhe nevojiten votat, ndërsa puna titanike e shoqërive kulturore e ansambleve mbetet pa vëmendjen e merituar.

Edhe fëmijë të tjerë së bashku me familjarët e tyre me plisa e me veshje kombëtare
Megjithatë, atdhetarët nuk po dorëzohen. Falë tyre, ansamblet dhe shoqëritë shqiptare po vazhdojnë misionin fisnik të ruajtjes së identitetit kombëtar. Vërtet meritojnë respekt dhe mirënjohje të veçantë.

Një skenë tepër emocionuese ishte edhe ajo e vogëlushit Troj, i cili qëndronte pranë babait të tij, Sovranit, ndërsa ky i fundit së bashku me bashkëshorten e tij, Blertën, vallëzonin me shumë pasion e krenari në skenë. Në anën tjetër, gjyshja e mbante Trojin në krahë, por vogëlushi dukej sikur mezi priste të shkëputej nga përqafimi i saj për t’iu bashkuar prindërve dhe gjyshit të tij, Zeqë Gashit, presidentit të Ansamblit “Trojet”. Edhe pse shëndeti nuk po e shërbente gjithmonë, Zeqë Gashi qëndronte me telefon në dorë për të regjistruar pamje të mira dhe foto, herë pas here ulej për të pushuar, por zemra i vloi nga emocionet dhe dëshira që të rinjtë e Ansamblit “Trojet” të paraqiteshin sa më mirë. Dhe ata jo vetëm që dolën mirë — ata shkëlqyen.

Besojmë fuqishëm se Troji dhe shumë “Trojanë” e “Teuta” të tjerë që po lindin e po rriten në Zvicër do ta trashëgojnë me krenari këtë frymë kombëtare dhe do ta mbajnë gjallë identitetin shqiptar brez pas brezi.
Ishin momente të papërshkrueshme, momente që mbushnin sytë me lot dhe zemrën me krenari.
Nderime dhe respekt të madh për Ansamblin “Trojet” në Winterthur! Po ashtu, paraqitje të jashtëzakonshme pati edhe SHKA “Dardania”, e cila me po të njëjtin mund, përkushtim dhe sakrificë dha një performancë mbresëlënëse. Aty binte në sy edhe vajza e atdhetarit të njohur, Shefqet Cakolli, president i SHKA “Dardania” e cila ndiqte me vëmendje çdo lëvizje të anëtarëve të shoqërisë, duke dëshiruar që gjithçka të dilte sa më mirë.
E padyshim, ata jo vetëm që vallëzuan bukur — ata sikur fluturuan në skenë. Mërgata shqiptare ka nevojë për më shumë bashkëpunim, më shumë respekt mes nesh dhe mbi të gjitha përkrahje serioze institucionale. Por një gjë është e sigurt: mërgata shqiptare nuk do të ndalet kurrë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe shpirtit kombëtar shqiptar.
Së shpejti do të sjellim edhe shkrime të tjera për të rinjtë tanë, të cilët po rriten larg vendit të të parëve, por që mbeten shembull në ruajtjen e vlerave tona kombëtare.
Foto nga Adi HEBIBI




