Në Zagreb u zhvillua pjesa e dytë e simpoziumit me temë “Rrugëtimi i shqiptarëve nga Kroacia në Kosovë – Roli i tyre në Betejën e Koshares”, mëson helveticALForum.ch një aktivitet me peshë të veçantë historike dhe institucionale që hodhi dritë mbi një kapitull të rëndësishëm të luftës për liri të Kosovës. Ky organizim u realizua në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, Bashkësisë së Shqiptarëve të Zagrebit dhe Bashkësisë Shqiptare të Prefekturës Primorsko-goranska.
Ngjarja u mbajt në sallën “Družba Braća Hrvatskog Zmaja”, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, anëtarë të komunitetit shqiptar në Kroaci, si dhe personalitete të njohura nga fusha akademike dhe shoqërore. Pjesëmarrja e gjerë dhe interesimi i lartë dëshmuan rëndësinë e kësaj teme për kujtesën historike dhe për lidhjet ndërmjet shqiptarëve në rajon.

Gjatë punimeve të simpoziumit u trajtuan në mënyrë të thelluar dimensionet historike dhe njerëzore të kontributit të shqiptarëve nga Kroacia në luftën e Kosovës. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të pazëvendësueshëm të Ton Markut, i cili u vlerësua si koordinator kyç në organizimin e shqiptarëve të Kroacisë për pjesëmarrje në luftë. Diskutimet nxorën në pah angazhimin e strukturuar dhe mobilizimin e komunitetit shqiptar në Kroaci në mbështetje të frontit të Koshares.
Në këtë kontekst, u veçua edhe kontributi i oficerit Afrim Bekaj në cilësinë e shefit të logjistikës, roli i të cilit u konsiderua thelbësor për funksionimin operacional dhe qëndrueshmërinë e forcave në vijën e frontit. Përmes dëshmive personale dhe reflektimeve të drejtpërdrejta, pjesëmarrësit kontribuan në dokumentimin e përvojave autentike të luftës dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Simpoziumi solli në vëmendje edhe rolin e rëndësishëm të Prefekturës Primorsko-goranska, e cila përmes angazhimit institucional mundësoi organizimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së luftëtarëve shqiptarë nga Kroacia. Në këtë kuadër u përmendën figura të shquara të luftës si Bekim Berisha, kolonel Xhelal Hajda (Toni) dhe Selajdin Mullabazi (Mici), të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në vijën e frontit.
Një vend të veçantë në diskutime zuri edhe figura e Agim Ramadanit, Hero i Kosovës, i cili u vlerësua për rolin e tij në dhënien e fizionomisë profesionale dhe strategjike Betejës së Koshares.
Në këtë sesion morën pjesë edhe personalitete të rëndësishme dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve historike, përfshirë Rustem Berishën, komandant i Brigadës 138 dhe ish-ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, kolonelin Musa Gjakova, luftëtarin Bedri Avdiu dhe Nexhip Hajdarin, shef i shtabit të operacionit “Shigjeta”. Moderimi i aktivitetit u realizua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në përmbyllje, simpoziumi u vlerësua si një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për thellimin e lidhjeve ndërmjet komunitetit shqiptar në Kroaci dhe institucioneve të Kosovës. Njëkohësisht, ai shërbeu si një hap i rëndësishëm në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë historike, duke rikujtuar sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve në momentet kyçe të historisë së Kosovës, njofton Ambasada e Kosovës në Zagreb, transmeton helveticALForum.ch.




