POSTIMET E FUNDIT

Specialja nuk e pranon raportin e organizatës britanike

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar se vetëm institucioni i Avokatit të Popullit i Dhomave të Specializuara ka mandat për proceset në këtë gjykatë dhe jo institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë. Në përgjigjen nga ky institucion thuhet: “Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme. Nuk është e qartë se cili është statusi i raportit të publikuar në faqen e internetit të Avokatit të Popullit të Kosovës. Ju lutem vini re se, sipas Kushtetutës së Kosovës, është Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, dhe jo Avokati i Popullit i Kosovës, ai që ka përgjegjësi ekskluzive për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Neni 162 i Kushtetutës së Kosovs)”.

Avokati Artan Qerkini thekson se standardet ndërkombëtare të paraburgimit janë shkelur në mënyrë flagrante nga kjo gjykatë. Sipas tij, arsyetimi për vazhdimin e paraburgimit për “katërshen” nuk njihet në praktikën ndërkombëtare dhe është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane, transmeton rtklive.

“Standardet ndërkombëtare janë shkelur në mënyrë flagrante, sidomos tani pasi fjalët përfundimtare janë kryer. Tani gjykata ka një arsyetim të çuditshëm që nuk mund ta gjesh në juridiksione të zakonshme; tani thotë se ekziston një frikë që të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarët, të cilët tashmë kanë dëshmuar, dhe t?i frikësojnë ata”, ka thënë Qerkini.

Procesi gjyqësor ndaj “katërshes”, në krahasim me proceset gjyqësore qoftë me Tribunalin e Hagës dhe rastet e tjera të krimeve të luftës që nga paslufta, dallon thelbësisht edhe në cenimin e parimit të transparencës, thonë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. “Ajo se çfarë e karakterizon këtë proces kemi pas një reduktim të madh të seancave të shqyrtimit kryesor, nuk ka mundur publiku të dëgjojë një numër të konsiderueshëm të deklaratave të dëshmitarëve të prokurorisë dhe kjo në njëfarë forme është cenim i parimit të transparencës, i publicitetit, ka thënë Amer Alija, nga FDHK.

Raporti për Gjykatën Speciale i Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Angli dhe Uells, ndër të tjera, ka theksuar edhe pranimin e provave nga Serbia në këtë gjykim.

Të enjten, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar të enjten në Prishtinë, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.

Pas kwsaj, edhe Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së sërish ngre zërin kundër shkeljeve në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, kësaj here duke iu referuar edhe raportit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, e cila shfaqi shqetësim për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializura. Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ky raport përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB