POSTIMET E FUNDIT

Mbi 1 milion euro për sportin: Ministria dhe Komiteti Olimpik forcojnë bashkëpunimin për vitin 2026

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka nënshkruar të hënën memorandumin e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në vend. Marrëveshja, e arritur me kryetarin e Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi, parasheh mbështetje financiare prej mbi 1 milion euro për programet dhe aktivitetet sportive gjatë vitit 2026.

Sipas ministrit Gashani, ky investim dëshmon përkushtimin e institucioneve shtetërore për ta vendosur sportin në qendër të zhvillimit shoqëror dhe ndërkombëtar të Kosovës. Ai theksoi se sporti mbetet një prioritet strategjik, jo vetëm për fuqizimin e rinisë, por edhe për përfaqësimin dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Ky memorandum siguron mbështetje konkrete për federatat dhe sportistët tanë, duke krijuar kushte më të mira për përgatitje dhe pjesëmarrje në gara të rëndësishme ndërkombëtare”, ka deklaruar Gashani.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen në një periudhë të rëndësishme për sportin kosovar, teksa vendi po përgatitet për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, si dhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Këto dy ngjarje konsiderohen si mundësi e artë për promovimin e Kosovës në skenën sportive ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e vlerësoi këtë mbështetje si një shtysë të madhe për rritjen e performancës sportive dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Përmes këtij bashkëpunimi, synohet jo vetëm përmirësimi i rezultateve sportive, por edhe avancimi i rolit të sportit si një faktor i rëndësishëm në zhvillimin shoqëror dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka rikonfirmuar se do të mbetet një partner i qëndrueshëm për sportin dhe mbështetës i çdo suksesi që e përfaqëson vendin me dinjitet, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB