POSTIMET E FUNDIT

Kujtojmë në datën e ndarjes nga jeta poetin dhe përkthyesin e njohur Robert Shvarc

#AShSh

#RobertShvarc

#InMemoriam

Më 25 prill 2003 u nda nga jeta Robert Shvarc, përkthyes i njohur, poet dhe studiues. Shvarci lindi në Sarajevë më 10 dhjetor 1932, nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani. Ai e dashuronte dhe e lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, të cilën nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare. Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Atij i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtër i Madh”. Ky titull iu akordua pak kohë pas marrjes së një tjetër vlerësimi, atij të “Qytetar Nderi” i Tiranës, dhënë me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një moment i rëndësishëm ishte viti 1995, kur ai u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i Meritës Gjermane”. Duhet theksuar se Shvarci ishte ndër të parët përfaqësues të kulturës shqiptare që u vlerësua me këtë titull në fushën e përkthimit.

Pas këtyre vlerësimeve qëndron një veprimtari e pasur me një numër të madh librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton të hapësh kopertinat e shumë librave për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre veprave, ndër më të spikaturat, mund të përmenden: “Tre shokë”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës” dhe “Obelisku i zi” nga Erih Maria Remark; “Çifutja e Toledos” dhe “Françesko Goja” nga Lion Fojtvanger; si dhe drama të Bertolt Brehtit: “Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Ditët e Komunës”, “Arturo Ui”, “Pushkët e nënës Karrar”, “Opera për tre grosh” dhe “Baali”. Nga Heinrich Heine: “Gjermania, përrallë dimri”; nga Gëte dhe Shileri: poezi dhe balada.

Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj, transmeton Akademia e Shkencave të Kosovës.

www.akad.gov.al

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB