Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse të Europës, falë bukurive natyrore, kulturës së pasur dhe mikpritjes së ngrohtë. Me rivierën e saj mahnitëse, Alpet e egra dhe kryeqytetin plot gjallëri, vendi ofron një përvojë të plotë për çdo vizitor.
Në një shkrim të “Travel and Tour World”, Tirana është zemra e gjallë e vendit, ku arkitektura e larmishme, muzetë si Bunk’Art dhe arti i rrugës ndërthuren me atmosferën e kafeneve moderne. Nga këtu, udhëtari ka akses të lehtë drejt maleve dhe parqeve përreth.
Riviera Shqiptare mbetet një perlë e Adriatikut dhe Jonit, me plazhe të kristalta si Ksamil, Jale e Gjipe, si dhe monumente historike si Kalaja e Porto Palermos dhe Parku Kombëtar i Butrintit. Aktivitetet si kajaku, zhytja dhe ecjet në natyrë e bëjnë këtë zonë ideale për aventurierët.
Alpet Shqiptare ofrojnë shtigje të famshme si Valbonë–Theth, ujëvara dhe kanione spektakolare, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të përjetojnë autenticitetin e fshatrave malorë.
Vendi po përjeton një bum hotelesh luksoze, ndërsa hapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të lehtësojë ndjeshëm qasjen në jug të vendit.
Gjithashtu vendi ofron edhe lehtësira për vizitorët. Politika e vizave është zgjeruar, duke lejuar udhëtim pa vizë për qytetarët e BE-së, Schengen, EEA, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar dhe së fundmi edhe për Arabinë Saudite (prill–dhjetor 2026).
Me kombinimin e bukurive natyrore, investimeve moderne dhe politikave miqësore për turistët, Shqipëria po pozicionohet si një nga destinacionet më të veçantë të Europës për vitin 2026, transmeton rtsh.




