
Nga Dashnim HEBIBi, Zürich
Stafi i redaksisë së helveticALForum.ch shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për veprimtarin e mirënjohur Adem Osmani, një njeri që asnjëherë nuk është ndalur së vepruari për atdheun dhe për mërgatën shqiptare. Kontributi i tij ndër vite nuk është vetëm i vazhdueshëm, por edhe frymëzues, duke dëshmuar një përkushtim të rrallë dhe një dashuri të sinqertë për kombin dhe vlerat tona.

Adem Osmani me bashkëshorten
Sot, ai jeton dhe vepron në Zvicër së bashku me familjen e tij, duke qenë një shembull i shkëlqyer i integrimit, por pa humbur kurrë rrënjët dhe identitetin e tij shqiptar. Në çdo hap të jetës së tij, Adem Osmani ka treguar se largësia nga atdheu nuk e zbeh dashurinë për të — përkundrazi, e forcon atë edhe më shumë. Por ajo që e bën edhe më të veçantë figurën e tij është mirësia njerëzore. Adem Osmani njihet si një njeri me zemër të madhe, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, për të mbështetur dhe për të qëndruar pranë atyre që kanë nevojë.

Ai nuk kursen as kohë, as mund, kur bëhet fjalë për të bërë mirë. Mirësia e tij nuk është vetëm një cilësi, por një mënyrë jetese — një vlerë që e shoqëron në çdo veprim dhe në çdo angazhim.
Adem Osmani zë një vend të veçantë në zemrat e çdo veprimtari. Angazhimi i tij i palodhur është vlerësuar edhe nga Shkolla Plotësuese Shqipe “Naim Frashëri” në Zvicër, e cila e ka nderuar me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i fuqishëm i fjalës së lirë. Edhe kësaj here, pa asnjë hezitim, ka dhënë ndihmën e tij për helveticALForum.ch — një dritare e lirë dhe e pavarur, e cila nuk ka pasur dhe nuk ka si synim përfitimin material, por vetëm kontributin në shërbim të së vërtetës, informimit dhe ndërgjegjësimit shoqëror. Patëm kënaqësinë ta takojmë në Tiranë — modest si gjithmonë, i qetë në fjalë, por i madh në vepra. Një personalitet që nuk kërkon vëmendje, por që fiton respektin e të gjithëve përmes punës dhe sinqeritetit të tij.

Jemi krenarë me ty dhe do të jemi mirënjohës përjetë për gjithçka që ke bërë dhe vazhdon të bësh. Kontributi yt, sidomos në mbështetje të fjalës së lirë dhe komunitetit shqiptar, është i paçmueshëm dhe do të mbetet shembull për brezat që vijnë. Faleminderit nga zemra për gjithçka që je dhe për gjithçka që përfaqëson, o shpirt i bardhë! Zoti ju bekoftë ju dhe familjen tuaj, ju dhëntë shëndet, mbarësi dhe suksese të vazhdueshme. Ta dini se mirënjohja jonë ndaj jush është e përhershme dhe e palëkundur.

Adem Osmani gëzon një reputacion të madh jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë, kudo që njihet dhe vlerësohet. Ai reflekton dritë dhe paqe, duke lënë gjurmë pozitive te çdo njeri që e takon. Kam pasur nderin të shkruaj edhe herë të tjera për të, por ai mbetet gjithmonë shembull i një bamirësi të rrallë që vepron në heshtje. Është pikërisht ky Adem Osmani që më ka sponsorizuar edhe librin tim dyvëllimësh për gruan shqiptare në diasporë — i pari i këtij lloji — një dëshmi e fortë se gruaja shqiptare ka qenë, është dhe do të mbetet heroinë.

E di që do të thoshte “pse – kjo?”, por është e pamundur të fshihet mirësia jote. Je një njeri i pastër, me shpirt të bardhë dhe zemër si dielli.
E ti, Adem Osmani, do të mbetesh i dashur dhe i kujtuar nga të gjithë ata që vlerësojnë dhe jetojnë me vlera.




