Kryeministri Edi Rama, duke komentuar në podkastin “Flasim”, gjatë rubrikës “Shënimet e Javës”, u ndal tek Samiti i IV i Diasporës, i zhvilluar më 13–15 prill, duke e cilësuar si një moment që konfirmon ndryshimin e raportit mes Shqipërisë dhe diasporës.
Ai theksoi se ky samit tregoi qartë se diaspora shqiptare sot ka një rol të ri dhe shumë më të rëndësishëm në zhvillimin e vendit.
“Samiti i IV i Diasporës konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës,” tha Rama, duke kujtuar se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e fundit ishte një dëshmi e mbështetjes masive për transformimet që ka pësuar vendi.
Ai shtoi se diaspora nuk është më thjesht një histori largimi, por një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit:
“Sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo vetëm përmes mbështetjes monetare të familjeve, por edhe përmes elementësh të admirueshëm të botës së saj të re, qoftë në fushat profesionale, qoftë në sipërmarrje.”
Rama nënvizoi se hendeku i dikurshëm është kthyer në një urë konkrete lidhjesh në ekonomi, dije dhe rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve kudo ku ndodhen.
Ai solli edhe disa tregues ekonomikë për të ilustruar transformimin e vendit duke shtuar se “Nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të brendshëm, sot Shqipëria ka rreth 27 miliardë euro, me synimin për të arritur 35 miliardë deri në fund të dekadës; nga më pak se 3000 euro të ardhura për frymë, sot mbi 11,000 euro, me synimin për të kapërcyer 15,000 euro; nga 2 milionë turistë dikur, sot 12 milionë vizitorë në vit; dhe nga 300–400 milionë euro investime të huaja, sot mbi 1.6 miliardë euro në vit.”
Sipas tij, këto nuk janë thjesht shifra, por tregues të një Shqipërie që është rritur, forcuar dhe ka ndryshuar mënyrën si perceptohet.
“Ky ndryshim reflektohet në raportin mes Shqipërisë dhe diasporës dhe të diasporës me Shqipërinë,” u shpreh Rama.
Samiti i IV i Diasporës u cilësua nga kryeministri si dëshmi e rolit të ri të shqiptarëve jashtë vendit, të cilët sot janë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor të Shqipërisë, transmeton rtsh.




