Në Kompleksin Memorial në Koshare u mbajt manifestimi qendror “Ditët e Shqipes 2026”, një ngjarje përkujtimore me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, e organizuar nën patronatin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në bashkëpunim me Shoqatën e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Në këtë ceremoni përkujtimore, Haxhiu theksoi se lufta e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme për çlirimin e vendit. Ajo rikujtoi se 27 vite më parë, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u nisën drejt vijës kufitare, duke thyer një kufi të vendosur padrejtësisht një shekull më parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ky akt, sipas saj, përfaqësonte jo vetëm një fitore ushtarake, por edhe një kthesë historike për kombin shqiptar.
Duke vlerësuar mbështetjen ndërkombëtare, Haxhiu falënderoi vullnetarët e huaj që morën pjesë në këtë betejë, duke theksuar se përkrahja e botës demokratike ishte dëshmi e drejtësisë së luftës së Kosovës. “Kjo dëshmon që lufta jonë ishte e drejtë dhe mori përkrahje nga bota demokratike”, u shpreh ajo.
Ajo e cilësoi Betejën e Koshares si një ndër betejat më të lavdishme të historisë moderne të Kosovës, duke nënvizuar sakrificën dhe guximin e luftëtarëve që kontribuuan në lirinë e vendit.
Në të njëjtën linjë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se në Koshare nuk u zhvillua vetëm një betejë ushtarake, por u rrëzua një mur ndarës që kishte ndarë shqiptarët për dekada. Sipas saj, Kosharja përfaqëson themelin mbi të cilin u ndërtua Republika e Kosovës.
Manifestimi në Koshare rikujtoi edhe një herë rëndësinë historike të kësaj beteje dhe rolin e saj në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Përmes kujtesës kolektive dhe nderimit të të rënëve, ngjarje të tilla shërbejnë si frymëzim për brezat e rinj dhe si dëshmi e çmimit të lirisë që gëzon sot Kosova, transmeton rtk.




