
Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Zvicër
Ka data që nuk janë thjesht ditë në kalendar.
Janë plagë që rrahin në zemër… çdo vit, çdo frymëmarrje.
13 prilli 1999, nuk është vetëm një kujtim,
është një britmë që vjen nga toka,
nga gjaku i pafajshëm që ende kërkon drejtësi,
nga emrat që nuk duhet të harrohen kurrë.
Nëna Salë…
nuk është vetëm një emër.
Është nëna ime.
Duart e saj më rritën, më mbajtën, më mësuan të jem njeri.
Ajo nuk meritonte fund…
ajo meritonte paqe, meritonte pleqëri të qetë,
jo dhunë, jo errësirë, jo atë që iu bë.
Qendresë…
vajza e vëllait tim…
një emër që sot është amanet mbi supet tona.
Ajo duhej të rritej, të qeshte, të ëndërronte…
por iu pre rruga pa filluar mirë.
Mirdonë…
një fëmijë… gjaku im…
një dritë e pastër që u shua në mënyrën më të padrejtë.
Si mund të shuhet një fëmijë?
Si mund të heshtë bota për një dritë të tillë?
Dhe ata…
të gjithë ata që u morën në atë ditë,
që u zhdukën nga duart e dashurisë dhe u hodhën në errësirë… si të mos kishin qenë, kurrë njerëz, kurrë jetë, kurrë shpirt.
Ata nuk u larguan…
ata u morën.
U masakruan.
U hodhën në bunarë…
si të donin të zhduknin edhe kujtimin e tyre.
Por nuk mundën.
Se nuk zhduket një nënë.
Nuk zhduket një fëmijë.
Nuk zhduket gjaku që bëhet kujtim dhe bërtet brenda nesh.
Po si vritet një fëmijë?
Si shikohet në sy pafajësia dhe shuhet pa mëshirë?
Si vritet një nënë…
ajo që jep jetë… ajo që fal gjithçka?
Këto nuk janë vetëm pyetje…
janë plagë që nuk marrin përgjigje kurrë.
Dhe tash… më 13 prill 2026…
unë nuk jam vetëm duke kujtuar.
Unë po qëndroj.
Qëndroj për nënën time, Nënën Salë.
Qëndroj për Qendresën dhe Mirdonën.
Qëndroj për çdo jetë që u mor padrejtësisht.
Se ata nuk janë vetëm kujtim…
janë gjaku im.
Janë pjesë e shpirtit tim.
Janë arsyeja pse nuk duhet të heshtim kurrë.
Qoftë i lehtë dheu për ju.
Qoftë i përjetshëm kujtimi juaj.
Dhe drejtësia…
le të vijë, sado vonë që vjen.
Xhavit Lipaj
8. Prill 2026




