Përgatiti Dashnim HEBIBI
Një tjetër histori suksesi që dëshmon potencialin dhe ndikimin global të studentëve shqiptarë vjen nga radhët e Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL). Alumni i këtij universiteti, Albon Rexhepi, është bërë pjesë e një prej projekteve më ambicioze të eksplorimit hapësinor në botë – misionit Artemis II NASA mission të NASA.
Aktualisht në një pozitë drejtuese në kompaninë ndërkombëtare DEWETRON në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rexhepi kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe implementimin e teknologjive të avancuara që mbështesin këtë mision historik. Artemis II synon të rikthejë njerëzit në orbitën e Hënës, duke shënuar një hap vendimtar drejt rikthimit të eksplorimit njerëzor përtej Tokës.

Në një deklaratë zyrtare, kompania DEWETRON thekson rolin e saj kyç në këtë projekt: “Jemi krenarë që jemi furnizues i besueshëm që mbështet teknologjinë pas këtij misioni – duke ndihmuar inxhinierët të sigurojnë të dhëna të sakta dhe të besueshme në disa nga mjediset më sfiduese që mund të imagjinohen.”
Kontributi i kompanisë përfshin teknologji të sofistikuara të matjes dhe testimit, të cilat janë thelbësore për validimin dhe garantimin e sigurisë së sistemeve që përdoren në misionet hapësinore. Në këtë kontekst, përfshirja e Rexhepit përfaqëson jo vetëm një sukses personal, por edhe një dëshmi të nivelit të lartë profesional që arrijnë studentët e dalë nga UEJL.
Ky lajm i rëndësishëm është shpërndarë edhe nga Ali Pajaziti, profesor dhe studiues i njohur, i cili ka vlerësuar këtë arritje si një moment krenarie për komunitetin akademik dhe më gjerë. Sipas tij, suksese të tilla janë dëshmi e qartë se investimi në arsim cilësor dhe përkushtimi individual mund të çojnë drejt përfshirjes në projekte me ndikim global.
Rasti i Albon Rexhepit shërben si frymëzim për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, duke treguar se me përkushtim dhe profesionalizëm, rruga drejt projekteve më prestigjioze ndërkombëtare është e arritshme. Ai mbetet një shembull i gjallë se si dijet dhe përvoja e fituar në vend mund të shndërrohen në kontribute konkrete në skenën botërore të shkencës dhe teknologjisë, transmeton UEJL, përcjell helveticALForum.ch




