Me një pjesëmarrje tejet të madhe dhe dinjitoze, besimtarët shqiptarë në Luzern kremtuan festën e shenjtë të Pashkëve në një atmosferë të mbushur me besim, traditë dhe bashkim vëllazëror. Kremtimi i festës së Pashkëve dëshmoi edhe një herë besimin, gjallërinë dhe përkushtimin e Misionit Katolik Shqiptar ndaj ruajtjes së vlerave shpirtërore dhe kombëtare.
Në ditën e Pashkëve u kremtuan dy mesha të shenjta: njëra në Goldau dhe tjetra në Sursee, ku morën pjesë një numër i madh besimtarësh nga zona të ndryshme. Atmosfera festive u bë edhe më e veçantë nga prania e fëmijëve të veshur me veshje tradicionale kombëtare, të cilët i dhanë ngjyrë dhe shpirt kremtimit, duke lidhur bukur besimin me identitetin kulturor shqiptar.

Kremtimit të meshës i dha një solemnitet të veçantë këndimi i korit të Misionit, i udhëhequr me përkushtim nga motër Mrika. Me harmoninë dhe devotshmërinë e tyre, kori kontribuoi ndjeshëm në thellimin e përjetimit shpirtëror të kësaj feste të madhe. Një rol të rëndësishëm në organizim dhe mbarëvajtje patën edhe këshilltarët e Misionit, të cilët shërbyen me përgjegjësi dhe përkushtim të madh.
Në meshën e mbajtur në Sursee, bashkësia jonë pati kënaqësinë të mirëpresë edhe mysafirë nga vende të ndryshme të Zvicrës dhe nga Franca, si dhe meshtarin don Marjan Shtjefen Ukaj, duke e bërë këtë kremtim edhe më gjithëpërfshirës dhe vëllazëror.
Në predikimin e tij, don Antoni theksoi rëndësinë e thellë të festës së Pashkëve në jetën e krishterë, duke nënvizuar se Ngjallja e Krishtit është burim shprese për të gjithë njerëzimin. Ai ftoi besimtarët që këtë mesazh ta jetojnë dhe ta dëshmojnë në përditshmëri, me besim, dashuri dhe solidaritet.
Pas Meshës, besimtarët u mblodhën në një frymë vëllazërore në oborrin e kishës Sursee, ku u bë shpërndarja tradicionale e vezëve të Pashkëve, simbol i jetës dhe ringjalljes, nga fëmijët dhe të rinjtë e Misionit. Gjithashtu, për të pranishmit u shërbyen pije të ndryshme dhe vera e vluar, të përgatitura me përkushtim nga Vilson Gjoni dhe Albert Nikolla, duke krijuar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për të gjithë.
Ky kremtim i Pashkëve mbetet një dëshmi e fortë e unitetit, besimit dhe traditës së komunitetit shqiptar në Zvicrën qendrore, duke forcuar lidhjet shpirtërore dhe shoqërore mes besimtarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, transmeton Misioni Katolik Shqiptarë në Luzern të Zvicrës, përcjell helveticALForum.ch.
GËZUAR PASHKËT!
Foto: Nue Tuqi, Martin Musaj & Arben Gojani




