POSTIMET E FUNDIT

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit

Nga Rafaela Prifti

Magjia e letërsisë për fëmijë shënohet në një ditë të caktuar, më 2 prill, ditën e lindjes së shkrimtarit të dashur Hans Christian Andersen. Duke nisur nga viti 1967 kjo ditë simbolikisht ndez shkëndijën e kureshtjes për librin tek të vegjëlit, që janë në fillim të këtij udhëtimi. Me kohë ata mbase do ta kuptojnë thënien e tij se “Vetë jeta është përralla më e magjishme!”

Dita Botërore e Librit për Fëmijë i fton lexuesit e rinj të hapin horizontin e mendjes nga çdo anë që të duan dhe ngado ku i shpien pyetjet dhe hamendjet e tyre pacak. Librat për fëmijë japin më shumë se dije dhe njohuri të intelektit. Ato bëhen pjesë e botës së tyre emocionale dhe e formimit të imagjinatës dhe personalitetit të tyre.

Në vargun e festimeve të fillim-prillit me zuri syri lajmin e Shkollës Ndërkombëtare të Prishtinës, shoqëruar me fotot e nxënësve entuziast në përurimin e “serisë së lektyrave shkollore për klasat 1-5, botuar nga Dukagjini. Erza Mati, përfaqësuese e shtëpisë së madhe botuese Dukagjini, pohoi se “takime të ngjashme janë mbajtur në 32 komuna të Kosovës me shkollat publike anë e mbanë vendit. Në vijim, jemi duke bashkëpunuar me shkollat private ku vazhdojmë të ndiejmë nga nxënësit kureshtjen e pashuar dhe pasionin për të zbuluar më shumë nga bota e leximit,” thotë Erza në bisedë. Një prej lektyrave shkollore është libri Legjenda dhe Rrëfime për Skënderbeun nga Naum Prifti.

Gjatë orës letrare, shpjegon ajo, nxënësit u japin përgjigje pyetjeve të tilla si Cilin personazh libri do doje ta takoje? Një prej aktiviteteve tërheqëse për nxënësit është edhe vendosja në një kuti e ilustrimeve të librave që fëmijët t’i gjejnë ato në formë e një loje psh në këtë rast shpata e Skënderbeut, e cila gjendet e ilustruar në faqet e librit. Të tilla ushtrime e bëjnë pjesëmarrjen më të këndshme dhe të efektshme për moshat e reja. Përmbledhja përfshin 19 rrëfime, të gjitha me në qendër Gjergj Kastriotin dhe epokën e lavdishme skënderbejane… me efekt edukimi si me njohuri të historisë sonë, ashtu edhe ndjenjat kombëtare,” shprehet Prof. Kastriot Gjika në punimin e tij për librin.

Fuqia e magjisë së librave për fëmijë është se pavarësisht nga koha dhe vendi nga vijnë, ato lulëzojnë tek çdo brez dhe çdo fëmi, që merr në duar dhe hap faqet e librit sot./GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB