Lezha ka fituar çmimin e parë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Wrocław, një sukses i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të turizmit.
Në këtë event të madh, që mblodhi mbi 20 mijë vizitorë nga vende të ndryshme të botës, stenda e Lezhës arriti të tërheqë vëmendje të jashtëzakonshme falë ofertës së saj të pasur turistike, kulturës dhe mikpritjes karakteristike shqiptare.
Lezha prezantoi ofertën turistike në Poloni, një nga shtetet që po shfaq gjithnjë e më shumë interes për këtë rajon. Bashkia, së bashku me operatorët kryesorë turistikë, morën pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Wrocław, një ndër më të rëndësishmit në Europën Qendrore, duke prezantuar bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe potencialin e saj turistik.
“Kemi realizuar një paketë të përbashkët se çfarë mund të bësh në Lezhë në një periudhë të shkurtër të pushimeve të tyre. Kanë dhënë një interes rreth 1 mijë vizitorë deri tani. Ditën e dytë kanë vizituar stendat tona”, deklaroi Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani.
Ky i fundit thotë se interesi për rajonin e Lezhës është mjaft i lartë dhe se ka nisur dhe konkretizimi i bashkëpunimeve mes operatorëve të të dy vendeve,
“Ajo që ne e shohim me interes është se turistët polakë po realizojnë edhe kontakte jo vetëm vizitorët që janë këtu por edhe agjencitë turistike. Kanë bërë takime me operatorët tanë, kanë marrë dhe mënyrat çfarë mund të bëjnë në Lezhë”, shtoi Xhani.
Prezantimi i Lezhës në panairin ndërkombëtar të turizmit në Poloni erdhi në prag të nisjes së sezonit turistik, si një mënyrë për të tërhequr sa më shumë polakë, por edhe turistë nga shtetet e tjera evropiane, transmeton rtsh.




