Nga Dashnim HEBIBI, Prishtinë
Prishtinë, 27 mars 2026 – Një vizitë me rëndësi historike dhe simbolike po zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës, ku pasardhës të Ismail Qemalit kanë mbërritur për të nderuar trashëgiminë e themeluesit të shtetit shqiptar. Darling Vlora, pasardhës i drejtpërdrejtë i Ismail Qemalit, i shoqëruar nga nipi i tij Igli, si dhe nga personaliteti i njohur në emigracion Arsim Mulliqaj, kanë nisur vizitën e tyre me homazhe pranë përmendores së Ismail Qemalit në Prishtinë.

Ata vendosën lule dhe përkujtuan me respekt jetën dhe veprën e stërgjyshit të tyre, duke theksuar rëndësinë e figurës së tij në historinë kombëtare shqiptare. Kjo vizitë po realizohet me ftesë të Dr. Dergut Aliu, një personalitet i shquar i mjekësisë, humanizmit dhe atdhetarizmit. Ai pritet të organizojë të shtunën një manifestim të rëndësishëm, i cili i kushtohet 30-vjetorit të themelimit të spitalit dhe 40-vjetorit të punës së tij të palodhshme si mjek.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, delegacioni do të zhvillojë disa takime me figura të jetës publike, ku do të diskutohen çështje që lidhen me trashëgiminë historike, identitetin kombëtar dhe bashkëpunimin ndërshqiptar. Sipas agjendës, ata do të qëndrojnë në kryeqytet deri të dielën. Vizita e pasardhësve të Ismail Qemalit përbën një moment të veçantë reflektimi dhe krenarie, duke rikujtuar rolin e pazëvendësueshëm të tij në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e themeleve të shtetit shqiptar.




