Edicioni i dytë i platformës “Matchmaker Albania”, që bashkon investitorë, kompani dhe institucione, po zhvillohet me fokus në nxitjen e investimeve konkrete dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Gjatë aktivitetit, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kyç zhvillimi ekonomik, ku turizmi luan një rol qendror.
“Shqipëria po përjeton një fazë të rëndësishme të transformimit ekonomik. Turizmi luan rol qendror në këtë transformim. Gjatë vitit 2025 kemi pasur rritje të fortë në turizëm. Fokusi sot nuk është vetëm te rritja e shifrave, por te cilësia dhe investimet”, u shpreh Gonxhja.
Ai bëri të ditur se fluksi në rritje i turistëve kërkon planifikim të kujdesshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“12.5 milionë vizitorë në vit kërkojnë rritje serioze dhe të mirëplanifikuar, në përputhje me objektivat afatgjata të zhvillimit, duke krijuar cilësi, punësim dhe rritje afatgjatë, si dhe duke tërhequr interesin e diasporës që të kthehet”, tha ministri.
Gonxhe theksoi se synimi është krijimi i kushteve për investime më të mëdha dhe të diversifikuara, që shtrihen përtej sezonit turistik dhe përfshijnë gjithë territorin e vendit.
“Objektivi është krijimi i kushteve për investime të mëdha, të diversifikuara dhe të gjera që shkojnë përtej atyre sezonale dhe që kontribuojnë në një ekonomi të qëndrueshme, nga bregdeti te zonat malore”, deklaroi ai.
Në këtë drejtim, ministri vuri në dukje rëndësinë e përmirësimit të kuadrit ligjor për të rritur besimin e investitorëve.
“Kjo kërkon besim, qartësi dhe një kuadër të besueshëm ligjor. Një nga përparësitë tona kryesore është rishikimi i legjislacionit për turizmin. Duhen rregulla të qarta, procese transparente dhe procese fiskale të parashikueshme”, theksoi Gonxhe.
Ai shtoi se synimi është që çdo investitor të operojë në një mjedis të sigurt dhe të koordinuar institucionalisht.
“Synimi është që çdo investues të veprojë në një sistem me siguri juridike, bashkërendim institucional dhe koordinim efikas”, përfundoi ministri.
Platforma “Matchmaker Albania” synon të shërbejë si një urë lidhëse mes aktorëve ekonomikë, duke nxitur projekte konkrete dhe investime të qëndrueshme në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, transmeton rtsh.




