POSTIMET E FUNDIT

Indeksi i lumturisë, Shqipëria në vendin e 86

Shqipëria renditet në vendin e 86-të në indeksin global të lumturisë për vitin 2026. Vendi ynë ka shënuar një përmirësim të lehtë nga pozicioni i 89-të që mbante një vit më parë.

Raporti nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, që bën vlerësimin, bazohet në disa elementë: Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, mbështetja sociale, jetëgjatësia e shëndetshme, liria për të marrë vendime në jetë, bujaria dhe perceptimi për korrupsionin. Për shqiptarët, tre janë faktorët që kanë ndikuar për të mos qenë shumë të lumtur: korrupsioni, marrëdhëniet sociale, pra të mos kesh dikë ku të mbështetesh dhe mungesa e ndjenjës pozitive.

Sa i përket grupmoshave, të rinjtë shqiptarë janë më të lumtur se para një dekade. Raporti tregon se Shqipëria renditet në vendin e shtatë për ndryshimin pozitiv të indeksit tek të rinjtë nën 25 vjeç nga periudha 2006-2010 në 2023-2025.

Në rajon, Kosova është më e lumtura, duke u renditur e 16-ta në botë, me një përmirësim të ndjeshëm nga një vit më parë kur ishte në vendin e 29-të. Më pas renditen Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërsa në rang global, finlandezët vijojnë të jenë më të lumturit në botë, të ndjekur nga Islanda, Danimarka, Kosta Rika, Suedia dhe Norvegjia.

Sipas raportit, në përgjithësi, vendet industriale perëndimore janë tani më pak të lumtura sesa ishin në periudhën 2006-2010. Në fund të listës renditet edhe këtë vit Afganistani si vendi më i palumtur në botë, transmeton tvklan.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB