Poeti, publicisti dhe gazetari i njohur, njëherësh president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, PhD. Dashnim Hebibi, vazhdon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare me veprimtarinë dhe kontributin e tij në fushën e fjalës së lirë, kulturës dhe publicistikës.
Pas nderimit të fundit në Romë me titullin “Ambasador i Fjalës së Lirë”, ai ka shënuar edhe një paraqitje të rëndësishme mediale në Turqi. Revista e njohur kulturore turke “Güncel Sanat”, e botuar në version të printuar dhe me tirazh të madh, i ka kushtuar hapësirë një interviste të tij, duke e sjellë kështu mendimin dhe mesazhin e tij para një publiku të gjerë. Kjo revistë konsiderohet ndër botimet kulturore më të njohura në Turqi dhe trajton tema nga arti, letërsia dhe kultura bashkëkohore.

Ky sukses i radhës është pritur me gëzim nga vetë Hebibi, i cili e ka ndarë këtë moment me familjarët, miqtë dhe dashamirët e tij. Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për znj. Angela Kosta, e njohur si ambasadore e fjalës së lirë, për realizimin e intervistës dhe për shpërndarjen e saj në media prestigjioze. Po ashtu, falënderim i veçantë i është drejtuar edhe editorit turk Arslan Bayır, drejtues i shtëpisë botuese BAYGENÇ KİTAP, i cili ka përkthyer personalisht intervistën.

Në shkrimet dhe paraqitjet e tij publike, një vend të rëndësishëm zë edhe vendlindja e tij, Presheva, për të cilën ai shpesh flet dhe shkruan, duke ngritur zërin për të drejtat elementare të shqiptarëve atje, për gjuhën, simbolin kombëtar dhe çështje të tjera që lidhen me identitetin dhe të drejtat e tyre.
Përmes fjalës së lirë dhe angazhimit intelektual, PhD. Dashnim Hebibi po arrin të përcjellë mesazhe që tejkalojnë kufijtë kombëtarë, duke u bërë një zë që dëgjohet gjithandej Evropës dhe më gjerë. Ai shprehet mirënjohës që fjala e një preshevari po gjen jehonë në media të ndryshme ndërkombëtare, si dëshmi se mendimi i lirë dhe kultura e dialogut mbeten vlera universale, transmeton helveticALForum.ch




