POSTIMET E FUNDIT

Zeqë Gashi, shembulli që frymëzon me dashurinë për nënën

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Prindërit duhet të jenë të dashur dhe të nderuar gjithmonë, e jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra. Ne, bijtë dhe bijat e tyre, sidomos kur të arrijmë në moshën e pleqërisë, duhet të dimë ta çmojmë edhe më shumë praninë e tyre, nëse kemi fatin t’i kemi ende pranë. Këto ndjenja jetojnë thellë në zemrën e pothuajse çdo bashkëkombasi, pavarësisht se nga cila trevë e atdheut vjen. Nënat tona kanë qenë dhe mbeten heroina të heshtura. Ato janë shtylla e familjes, burimi i dashurisë, i sakrificës dhe i përkushtimit të pafund. Për këtë temë mund të shkruhet shumë, sepse prindërit janë themeli i jetës sonë dhe udhërrëfyesit tanë më të parë. Para disa ditësh, me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas, bëra një postim ku theksova se kjo ditë nuk duhet të jetë vetëm një festë simbolike, ku u dhurojmë lule grave për një ditë të vetme. Respekti dhe dashuria ndaj tyre duhet të shprehen çdo ditë: ndaj nënave tona, bashkëshorteve, motrave dhe vajzave tona. T’i nderojmë, t’i vlerësojmë dhe t’i respektojmë më shumë, sepse ato janë zemra e familjes dhe e shoqërisë.

Ne shqiptarët e kemi traditë këtë ndjenjë respekti

Historia jonë është e mbushur me gra të jashtëzakonshme që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kombin tonë. Nga mbretëresha Teuta e deri te Nënë Tereza, nga nënat e dëshmorëve, kujto Nëna Zahide, nëna e komandantit legjendar Adem Jashari e shumë e shumë atdhetarëve të dëshmuar nëpër periudha të ndryshme e deri te gratë që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e vendit nëpër periudha të hershme e deri te ditët e sotme, ato kanë qenë dhe mbeten shembuj frymëzimi për brezat.

Në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit kam parë shumë postime në rrjetet sociale, por një prej tyre më preku thellë emocionalisht. Ndoshta për dikë mund të duket një moment i thjeshtë dhe jo domosdoshmërisht për media, por për mua ishte një kujtesë e fuqishme për vlerën e dashurisë familjare.

Një djalë përqafon nënën e tij me të njëjtën dashuri që ajo ia kishte dhënë kur ai ishte fëmijë. Ky moment i thjeshtë flet më shumë se shumë fjalë. Ai na kujton se dashuria fillon në familje dhe prej aty përhapet në shoqëri. Veprimtari i njohur dhe njëkohësisht kryetari i Ansamblit “Trojet” në Winterthur, Zeqë Gashi, është një nga ata njerëz që e dëshmon këtë respekt në mënyrë të veçantë. Ai e do dhe e respekton nënën e tij pa kushte, me gjithë shpirt. Dhe kjo është një nga vlerat më të mëdha që një njeri mund të ketë. Sepse dashuria e vërtetë fillon nga familja. Ai që nuk ka traditë familjare dhe nuk i respekton prindërit, vështirë se mund të ndërtojë dashuri të vërtetë në shoqëri.

Para pak orësh, Zeqë Gashi publikoi një urim për datëlindjen e nënës së tij, një mesazh që prek zemrën dhe që duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj:

“Sot jemi mbledhur pranë teje, si gjithmonë, sepse aty ku je ti është ngrohtësia e shtëpisë, dashuria dhe bekimi ynë më i madh. Ti je zemra e familjes sonë. Nga ti kemi mësuar dashurinë, durimin dhe forcën për të ecur përpara. Çdo përqafim yt na ka dhënë qetësi, çdo këshillë na ka treguar rrugën dhe çdo lutje e jotja na ka mbrojtur. Nënë e dashur, të urojmë shumë shëndet, qetësi dhe ditë të bardha. Zoti të dhëntë jetë të gjatë që të jemi gjithmonë pranë teje dhe të të gëzojmë ashtu siç na ke gëzuar ti gjithë jetën.”

Këto janë fjalë që burojnë nga zemra dhe që na kujtojnë një të vërtetë të madhe: prindërit nuk duhen vetëm në ditë festash. Ata duhen dhe nderohen çdo ditë të jetës. Le t’i duam, t’i respektojmë dhe t’i vlerësojmë prindërit tanë për çdo ditë – sepse ata janë bekimi më i madh që kemi në këtë botë.

Në fund të fundit, prindërit janë bekimi më i madh që kemi në jetë. Ata janë rrënja jonë, forca jonë dhe mbështetja që na ka rritur me dashuri, sakrificë dhe përkushtim. Prandaj, nuk mjafton t’i kujtojmë apo t’i nderojmë vetëm në ditë të veçanta. Dashuria dhe respekti për ta duhet të shprehen çdo ditë, me fjalë të mira, me përkujdesje dhe me praninë tonë pranë tyre. Le t’i duam prindërit tanë për çdo ditë, sa janë mes nesh, sepse një ditë do ta kuptojmë edhe më shumë se sa të çmuar kanë qenë për jetën tonë. Respekti dhe dashuria për prindërit është pasqyra më e bukur e shpirtit dhe e vlerave tona njerëzore. I lumi ti, miku im Zeqë Gashi! Urime nënës tënde datëlindja. E lumja ajo për djalin që ka rritur, sepse ai kudo që është prezent tregon karakter, respekt dhe dinjitet. Dhe kjo dihet se vjen nga edukata e familjes, nga ti si nënë dhe nga bashkëshorti yt tashmë i ndjerë. Urime datëlindja edhe nga ne, miqtë e djalit tuaj Zeqë Gashi. Ju urojmë shumë shëndet, qetësi dhe pleqëri të mirë, të rrethuar gjithmonë me dashurinë e familjes dhe të njerëzve që ju respektojnë. Zoti ju bekoftë !

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB