Qeveria zvicerane ka dërguar për konsultim publik një projekt-ligj që parashikon rritjen e franshizës minimale në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor nga 300 në 400 franga. Sipas vendimit të Parlamentit dhe Qeverisë, masa synon të ngadalësojë rritjen e kostove të shëndetësisë dhe të forcojë përgjegjësinë individuale të të siguruarve. Fëmijët do të vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga franshiza, transmeton 20min.ch. Sipas Qeverisë, rritja e franshizës mund të çojë në një ulje të lehtë të primeve të sigurimit shëndetësor. Përveç kësaj, propozohet edhe një mekanizëm i ri përshtatjeje: franshiza do të rritet automatikisht nëse pjesëmarrja financiare e të siguruarve bie nën një prag të caktuar. Ky prag është përcaktuar në 13.5 për qind të shpenzimeve bruto që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor në nivel kombëtar.
Qeveria thekson se rritja e franshizës dhe mekanizmi i ri i përshtatjes synojnë të inkurajojnë qytetarët të përdorin shërbimet mjekësore me më shumë kujdes dhe vetëm kur është e nevojshme. Në këtë mënyrë pritet të frenohet rritja e shpenzimeve në sistemin shëndetësor.
Franshiza minimale në Zvicër nuk është rritur që nga viti 2004. Ajo u vendos fillimisht në vitin 1996 në 150 franga, u rrit në 230 franga në vitin 1998 dhe në 300 franga në vitin 2004. Që atëherë ka mbetur e pandryshuar. Senatorja e Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Esther Friedli, kishte kërkuar që franshiza minimale të rritet dhe në të ardhmen të përshtatet automatikisht në mënyrë periodike. Sipas saj, kjo do të pasqyrojë më mirë situatën aktuale të kostove në sigurimin shëndetësor dhe do të ndihmojë në frenimin e rritjes së primeve. Megjithatë, propozimi ka hasur në kritika të forta nga e majta. Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP) paralajmëron se rritja e franshizës mund të thellojë sistemin e ashtuquajtur të “mjekësisë me dy nivele”. Sipas tyre, masa do të godasë veçanërisht personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe njerëzit me të ardhura të ulëta. Edhe Bashkimi i Sindikatave Zvicerane (SGB) e ka quajtur këtë masë një barrë shtesë të papranueshme për popullsinë. Në një reagim publik, organizata thekson se një pjesëmarrje tashmë e lartë në kostot shëndetësore po detyron gjithnjë e më shumë pacientë të heqin dorë nga trajtimet e nevojshme.
Sipas sindikatave, kjo mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik, duke sjellë vuajtje të panevojshme për pacientët dhe në fund edhe kosto më të larta për gjithë sistemin shëndetësor, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch




