POSTIMET E FUNDIT

Komiteti i Rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij të mos përdoret më emërtimi Kosovë me fusnotë, (*), por vetëm Kosovë.

Sipas AKK-së, ky vendim është përfshirë në opinionin më të fundit të Komitetit të Rajoneve mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Me këtë vendim, sipas njoftimit, ky institucion harmonizon qëndrimin e tij me Parlamenti Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet zyrtare.

Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve ka bërë thirrje edhe për heqjen e masave të Bashkimi Evropian ndaj Kosova, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e vendit.

Sipas AKK-së, në opinion vlerësohet edhe organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë gjatë vitit 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale. Po ashtu, theksohet se me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, prandaj Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë.

AKK thekson se ka pasur rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian, përmes bashkëpunimit me Komitetin e Rajoneve, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm të rëndësishëm për vendin.

“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian”, ka thënë ai.

AKK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB