Më 4 prill, me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Vjosa Osmani në postin e presidentes së vendit me mandat pesëvjeçar. Pesë vjet më vonë, mandatit të saj në krye të shtetit i kanë mbetur edhe vetëm 24 ditë.
Deri në përmbyllje të mandatit, Osmani do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e presidentes me kompetenca të plota kushtetuese. Megjithatë, tri javët e fundit të mandatit pritet të jenë kryesisht të përqendruara në përmbylljen e detyrave institucionale dhe përgatitjen për dorëzimin e përgjegjësive tek pasardhësi.
Njohësja e çështjeve politike, Besa Luzha, vlerëson se kjo periudhë do të shërbejë kryesisht për mbylljen administrative dhe institucionale të mandatit presidencial.
Sipas saj, “këto tri javë janë më tepër të nevojshme për ta përmbyllë mandatin, për të përgatitur dorëzimin e detyrës dhe për të proceduar ndoshta me njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë”. Ajo shton se mbetet të shihet se si do të funksionalizohet edhe prezantimi i Kosovës në Bordin e Paqes gjatë kësaj periudhe.
Nga Zyra e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje për pyetjet e dërguara nga Radio Televizioni i Kosovës lidhur me agjendën e presidentes në javët e fundit të mandatit.
Ndërkohë, një nga çështjet aktuale me të cilat po merret presidentja është procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Osmani është në pritje të emrave të kandidatëve që duhet të propozohen nga subjektet politike.
Afati i fundit për dorëzimin e këtyre emrave është 15 marsi. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, presidentja do të ketë pesë ditë kohë për të bërë emërimin e tyre.
“Partive u është kërkuar të rekomandojnë përfaqësuesit e tyre për KQZ, sepse kjo është e domosdoshme. Nëse vendi shkon në zgjedhje, KQZ-ja duhet të jetë plotësisht e funksionalizuar”, thekson Luzha.
Vjosa Osmani mbetet një figurë historike në politikën kosovare, pasi është gruaja e dytë që është zgjedhur presidente e vendit, pas Atifete Jahjaga. Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021, ajo ishte edhe kandidatja më e votuar në vend, duke marrë mbi 300 mijë vota nga qytetarët e Kosovës, transmeton rtk.
Teksa mandati i saj po shkon drejt fundit, vëmendja tani po përqendrohet në proceset institucionale që do të sigurojnë një tranzicion të rregullt në krye të shtetit.




