Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim zyrtar komandantin e misionit të NATO në Kosovë – Kosovo Force (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjeneralmajor Ulutaş e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, ndërsa gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet misionit të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovo.
Në fokus të bisedës ishte edhe situata e sigurisë në vend dhe në rajon, në një kohë kur zhvillimet dhe ndryshimet globale mund të paraqesin sfida të reja për stabilitetin dhe sigurinë.
Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm me misionin e KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
Ai gjithashtu e falënderoi komandantin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në udhëheqjen e KFOR-it, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet e Republikës së Kosovës.
Takime të tilla konsiderohen të rëndësishme për koordinimin dhe forcimin e partneritetit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë që veprojnë në vend, transmeton rtk.




