Gedeon Burkhard aktori gjerman me origjinë shqiptare, ka marrë pjesë në ceremoninë e dy vëllezërve të famshëm Nicolas dhe Olivier Berggruen të cilët u nderuan sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Prania e tij nuk ka qenë e rastësishme, pasi Burkhard është kushëri me dy vëllezërit Berggruen të cilët janë stërnipat e aktorit të madh Aleksandër Moisiu.
Burkhard njihet për rolin e komisarit në serialin “Komisari Rex”, luajtur plot 30 vite më parë, ndërsa sot ishte mysafir në Universitetin “Aleksandër Moisiu” me rastin e marrjes së titullit “Honoris Causa” të dy kushërinjve të tij, Nicolas dhe Olivier Berggruen, stërnipa të Aleksandër Moisiut.
Dy vëllezërit e famshëm, Nicolas dhe Olivier Berggruen janë filantropë me rrënjë shqiptare, të cilët i vlerësoi edhe kryeministri Edi Rama për punën e tyre në fushën e artit dhe mendimit filozofik.
Kush është Gedeon Burkhard
Gedeon Burkhard (emri i plotë Daniel Gedeon Burkhard) është aktor gjerman (me origjinë shqiptare) i filmit dhe televizionit, i lindur më 3 korrik 1969 në Mynih, Gjermania Perëndimore (sot 56 vjeç).
Rrënjët e tij shqiptare vijnë nga gjyshi i nënës së tij, Aleksandër Moisiu, një nga aktorët më të famshëm shqiptarë të shekullit të 20-të, i lindur në Durrës në vitin 1879, i cili u bë yll i teatrit dhe filmit austriak dhe evropian.
Nëna e Gedeonit është aktorja gjermane Elisabeth von Molo (pas martesës Burkhard), e cila është mbesa e Aleksandër Moisiut.
Gedeon u rrit duke folur dy gjuhë (gjermanisht dhe anglisht), u dërgua në shkollë me konvikt në Angli që në moshën 8-vjeçare dhe më pas në shkollë të mesme amerikane.
Karrierën e nisi si fëmijë në role të vogla, por u bë i njohur gjerësisht me rolin kryesor si Alexander Brandtner në serialin austro-gjerman “Kommissar Rex” (1998–2001).
Më pas pati sukses ndërkombëtar me rolin e korporal Ëilhelm Ëicki (interpretuesi i shumicës së dialogjeve gjermane) në filmin e Quentin Tarantino-s “Inglourious Bastards” (2009).
Ai ka luajtur në shumë filma dhe seri evropiane e amerikane dhe vazhdon të jetë aktiv në industrinë e filmit, kryesisht në Gjermani, Austri dhe projekte ndërkombëtare, transmeton rtsh.




