Organizata e “Jeta”, dega Athinë, në kuadër të forcimit të mëtejshëm të rolit të saj në diasporën shqiptare në Greqi, zhvilloi ditën e enjte më 26 shkurt 2026, mbledhjen e parë zyrtare të kryesisë për këtë vit, nën drejtimin e Presidentes, znj. Elona Kataro, me objekt riorganizimin e strukturave drejtuese dhe Bordit Drejtues të Degës Athinë, si dhe përcaktimin e prioriteteve të veprimtarisë për periudhën në vijim.
Ky vendim vjen si një hap i rëndësishëm në konsolidimin institucional të organizatës dhe në rritjen e kapaciteteve të saj për të përmbushur me përgjegjësi misionin në shërbim të gruas shqiptare dhe familjes në emigrim.
E pranishme në këtë takim ishte edhe zv.presidentja e organizatës, znj. Panorea Gjoliku, një prej figurave më të shquara të komunitetit tonë prej 3 dekadash me një kontribut të shquar.
Në këtë kuadër, u bë prezantimi i Bordit Drejtues të Degës Athinë, kryesuar nga znj. Mimoza Lepuri dhe i përbërë nga anëtaret e mëposhtme: Sofia Cambiri, Boralda Petromilo Papajani, Anna Paskali, Mirela Hoxha, Elisabeta Balaska, Eleni Varesi, Etleva Shtrepi Panajoti, Selvi Llavdaniti, Jeta Dashi, Bleona Gerveni, Katerina Gerveni, Mirela Ndrio, Minela Konica, Zoica Zhafa, Anila Borici, Xhanela Kruti dhe Naime Tafilaku.
Anëtaret e Bordit Drejtues marrin përsipër detyrën për të kontribuar në mënyrë aktive në drejtimin dhe zbatimin e programeve të organizatës, duke sjellë përvojën, përkushtimin dhe përgjegjësinë e nevojshme për përmbushjen e objektivave të saj.
Gjatë mbledhjes u zhvillua një diskutim i zgjeruar mbi drejtimet kryesore të punës për vitin 2026, me fokus të veçantë në:
– Forcimin e rolit të organizatës në fuqizimin social të grave shqiptare, ku një rol të veçantë luan edhe Grupi i Ngritjes personale, drejtuar nga znj. Sofia Cambiri
– Ndërmarrjen e nismave konkrete filantropike dhe bamirëse, në mbështetje të grave dhe familjeve në nevojë
– Zgjerimin dhe mbështetjen e kurseve të mësimdhënies së gjuhës shqipe, duke e konsideruar atë një prioritet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe duke vlerësuar punën e mrekullueshme që bëjnë 9 mësueset tona, të koordinuara nga znj. Boralda Papajani në dy shkollat publike.
Organizimin e aktiviteteve sociale, kulturore dhe edukative në shërbim të komunitetit, si dhe ndërtimin e një rrjeti bashkëpunimi dhe solidariteti mes grave shqiptare në emigrim, me një vëmendje të veçantë në vlerësimin dhe promovimin e artisteve tona, të folklorit dhe grupit të valleve, si pjesë e rëndësishme e identitetit dhe kulturës sonë.
Në mënyrë të veçantë, u theksua rëndësia që organizata “Jeta” të vazhdojë të jetë jo vetëm një strukturë organizative, por një familje e madhe me një derë gjithmonë të hapur për gratë dhe grupet vunerabël, përmes iniciativave konkrete që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së komunitetit.
Gjithashtu, u diskutua mbi organizimin e aktivitetit në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, si dhe u vendos që pas kësaj date të zhvillohet mbledhja e radhës e Bordit Drejtues, për ndarjen e përgjegjësive dhe zbatimin e projekteve të planifikuara.
Organizata e Gruas “Jeta” thekson përkushtimin e saj për të vazhduar me seriozitet dhe përgjegjësi misionin në shërbim të gruas dhe komunitetit, me bindjen se vetëm përmes bashkëpunimit, solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët, është e mundur të ndërtohen iniciativa me vlerë dhe ndikim të qëndrueshëm.
Jeni të gjitha të mirëpritura në familjen e madhe të “Jetës”, organizatës së parë të gruas në Greqi, e cila për më shumë se dhjetë vjet ka qenë dhe mbetet një strehë për gratë, një familje e madhe ku çdo grua gjen vendin, zërin dhe forcën e saj.
Organizata “Jeta”, dega Athinë




