Dymbëdhjetë shtetas shqiptarë kanë kontaktuar ambasadën shqiptare në Izrael, duke kërkuar ndihmë për t’u larguar nga vendi pas përshkallëzimit të konfliktit. Sipas burimeve zyrtare nga ambasada, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhen në vende të sigurta.
Në një komunikim për “Ora News”, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, konfirmoi se numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë ka arritur në 12. Ajo theksoi se megjithëse janë fizikisht mirë, ata po përjetojnë një situatë të vështirë psikologjike. Ambasada mban kontakte të vazhdueshme me ta, si gjatë ditës ashtu edhe natën, duke u ofruar mbështetje dhe duke i siguruar se po punohet për një zgjidhje. Për momentin, priten instruksione nga autoritetet vendore për të organizuar gradualisht largimin e tyre drejt Shqipërisë.
Identifikimi i shtetasve nuk është bërë përmes një kërkimi aktiv nga ambasada, por përmes vetëdeklarimit të tyre. Kjo është procedura standarde në raste evakuimesh, pasi ambasada nuk ka mundësi të ndjekë lëvizjet e turistëve. Shtetasit shqiptarë ndodhen në qytete të ndryshme të Izraelit dhe jo të grupuar në një vend të vetëm.
Të gjithë shtetasit janë udhëzuar të ndjekin me përpikëri protokollet e sigurisë të publikuara nga autoritetet izraelite. Këto instruksione, të cilat gjenden online, përfshijnë rregulla të sjelljes në situata emergjence dhe detyrimin për të qëndruar pranë dhomave të sigurisë. Lidhur me mundësinë e fluturimeve për evakuim, ambasada bën të ditur se është ende herët për të folur, për sa kohë sulmet ushtarake vazhdojnë. Zgjidhja më e mirë për momentin është monitorimi i situatës me durim dhe qetësi.
Përveç 12 shtetasve që kërkojnë të largohen, në Izrael jeton një komunitet i madh shqiptaro-hebraik prej rreth 30 vitesh. Edhe ata raportohen të jenë shëndoshë e mirë, por të shqetësuar dhe të stresuar nga zhvillimet e fundit.
KOMUNIKIMI ME AMBASADOREN
Meri Kumbe: Janë bërë 12 në fakt. Janë të gjithë mirë, përpos, mirë për sa mund të quhen në gjendjen ku po jetojmë aktualisht, por gjithsesi janë mirë dhe janë të sigurt, nënkuptoj në aspektin shëndetësor. Jemi në pritje të instruksioneve nga autoritetet vendore për t’u organizuar gradualisht dhe për të parë të gjitha mundësitë për mbërritjen e tyre në Shqipëri, pra udhëtimin drejt Shqipërisë.
Kontakti me ta ka qenë i vazhdueshëm?
Meri Kumbe: Po, po. Është, është herë pas here gjatë ditës dhe gjatë orëve të natës kur kanë nevojë,më shumë për të, dhe për t’i ofruar njëri-tjetrit mbështetje psikologjike. Është e rëndësishme në situata të tilla, të jemi pranë, të komunikojmë, të ndjehen, të ndjejnë dhe qytetarët praninë tonë dhe të mbajmë veten me shpresën dhe me forcën që gjërat shumë shpejt do të gjejnë zgjidhje dhe për ta do të mundësohet dalja.
Ndërkohë identifikimi i tyre, zonja Kumbe, si është bërë? Pra, ka qenë kontakti nga ana juaj apo vetë qytetarët shqiptarë kanë kërkuar praninë dhe janë raportuar pranë ambasadës?
Meri Kumbe: Kontakti në asnjë rast dhe në asnjë vend dhe për asnjë ambasadë nuk bëhet nga ambasada në drejtim të qytetarëve, sepse ne nuk e kemi të mundur të dimë ku shkojnë turistët. Pra, çdo qytetar është i lirë të bëjë turizëm. Në të gjitha rastet, në të gjitha llojet e protokolleve të evakuimit, gjithmonë qytetarët vetë deklarohen pranë ambasadës. Kështu ka ndodhur dhe këtë herë. Ata kontaktojnë ambasadën duke bërë me dije prezencën e tyre në territor, vendin ku ndodhen, sepse dhe qytetet ku qytetarët ndodhen nuk janë të njëjta, pra nuk ndodhen të tërë në të njëjtin qytet. Kjo është procedurë rutinë fatkeqësisht për ne tre vitet e fundit tanimë dhe në bazë të vetëdeklarimit dhe vetëdeklarohen zakonisht të gjithë ata që kërkojnë udhëzimet tona se si mund të dalin nga vendi. Ndërkohë numri i qytetarëve shqiptarë në Izrael është shumë më i lartë se sa 12. Kemi të gjithë komunitetin shqiptaro-hebraik që jeton në Izrael prej 30 vitesh tanimë dhe ata janë mirë, të shqetësuar, të stresuar dhe të sikletosur për sa i takon zhvillimeve të fundit, por janë dhe ata shëndosh e mirë.
Ndërkohë cili është protokolli që shqiptarët atje duhet të ndjekin? Pra cilat janë instruksionet që përmendët pak më parë, më në detaje që keni udhëzuar?
Meri Kumbe: Janë instruksionet e sigurisë të paraqitura nga autoritetet izraelite për të gjithë qytetarët pa përjashtim. Janë informacione të gjitha që gjenden online dhe përfshijnë mënyrën se si qytetarët që ndodhen këtu duhet të sillen në momente të caktuara dhe të qëndrojnë pranë dhomave të sigurisë.
E fundit, ndoshta ka një detaj se kur mund të hapen fluturimet?
Meri Kumbe: Jo. Jo, është ende herët për t’u folur, pasi është koha që vijojnë sulmet ushtarake. Është ende herët për t’u folur. Duhet të kemi durim dhe me qetësi të monitorojmë situatën dhe të shohim se cilat do të jenë zgjidhjet më të mira, transmeton oranews.




