Teatri Ariston ka hapur dyert për aktin e fundit të edicionit të 76-të të Festivalit të Sanremos. Mbrëmja e së shtunës, 28 shkurt, shënon kulmin e garës me 30 artistë në konkurrim, ndërsa prezantimi i spektaklit i është besuar Carlo Conti dhe Laura Pausini, të shoqëruar nga Giorgia Cardinaletti.
Finalja sjell emocione të veçanta me rikthimin e Andrea Bocellit si i ftuari i nderit, shtatë vjet pas paraqitjes së tij të fundit në këtë skenë. Tenori toskan do të interpretojë “Con te partirò”, duke i bërë homazh Pippo Baudos, një prej figurave që besoi në talentin e tij. Bocelli feston gjithashtu 30-vjetorin e albumit “Romanza”, një prej disqeve më të shitur në historinë e muzikës italiane.
Mbrëmja e madhe është pasuruar me emra të tjerë të njohur si Tiziano Ferro, Eros Ramazzotti dhe Alicia Keys, duke e kthyer finalen në një festë të madhe muzikore.
Sistemi i votimit përfshin televotimin (34%), jurinë e shtypit, TV dhe web (33%) si dhe jurinë e radios (33%). Fillimisht do të shpallen pesë këngët më të mira, të cilat më pas do të rikthehen në skenë dhe do të përballen me gjykimin e tre jurive.
Rezultati përfundimtar do të dekretojë fituesin e Festivalit të Sanremos 2026, së bashku me katër pozicionet e tjera në renditje.
Emocionet e kësaj mbrëmje do të transmetohet për publikun shqiptar drejtpërdrejtë në RTSH1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1, transmeton rtsh.




