14.7 C
Zurich
Wednesday, February 25, 2026
spot_img
spot_img

POSTIMET E FUNDIT

Komisioni Evropian propozon zgjerimin e “Roam Like at Home” për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për përfshirjen e tyre në regjimin e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home” (Roaming si në shtëpi), një hap i rëndësishëm drejt integrimit gradual të rajonit në tregun unik digjital të BE-së.

Sipas njoftimit zyrtar, pasi marrëveshjet të finalizohen me secilin prej vendeve dhe pasi ato të jenë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, qytetarët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë thirrje telefonike, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil pa tarifa shtesë roaming-u. Kjo do të thotë se përdoruesit do të paguajnë të njëjtat tarifa si në vendin e tyre, duke shmangur kostot e larta që aktualisht shoqërojnë komunikimin ndërkufitar.

Propozimi për mandatet negociuese duhet tani të marrë autorizimin e Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili do t’i japë dritën jeshile Komisionit për të nisur bisedimet me secilin prej partnerëve të rajonit. Pas miratimit, negociatat do të zhvillohen veçmas me secilin shtet dhe përfundimi me sukses i tyre do të nënkuptojë përfshirjen formale të rajonit në zonën “Roam Like at Home”.

Regjimi “Roam Like at Home” ka hyrë në fuqi në territorin e BE-së që nga viti 2017, duke i lejuar qytetarët e vendeve anëtare të komunikojnë lirshëm gjatë udhëtimeve brenda unionit pa kosto shtesë. Zgjerimi i këtij sistemi drejt Ballkanit Perëndimor konsiderohet si një hap konkret në kuadër të Planit të Rritjes 2023 për rajonin dhe një dëshmi e qasjes së BE-së për integrim gradual përpara anëtarësimit të plotë.

Për qytetarët dhe bizneset e rajonit, kjo nismë pritet të sjellë lehtësim financiar, rritje të ndërlidhjes digjitale dhe forcim të bashkëpunimit ekonomik me vendet e BE-së, duke afruar më tej Ballkanin Perëndimor me standardet dhe përfitimet e tregut evropian, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB