1.6 C
Zurich
Wednesday, February 18, 2026
spot_img
spot_img

Mesazhi i Tërnavës për muajin e Ramazanit: Dashuria ndaj fesë dhe ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim

EKSKLUZIVE

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka dhënë mesazhin e tij me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, duke theksuar rëndësinë e këtij muaji për edukimin moral, drejtësinë dhe solidaritetin e besimtarëve.

“Sot, në këtë natë të bekuar të Ramazanit dhe në atmosferën festive të datës sonë më të rëndësishme kombëtare, 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit tonë, zemrat tona rrahin njësoj për besimin dhe atdheun. Ramazani është muaji kur Fjala Hyjnore zbriti si dritë për njerëzimin, udhëzim për zemrat, shërim për shpirtrat dhe mëshirë për botët”, ka thënë Tërnava.

Ai ka theksuar se ky muaj fton besimtarët në rrugën e drejtë dhe i edukon me vlera të larta morale. “Ky muaj i bekuar na fton në rrugën e drejtë, na edukon me drejtësi, dhembshuri e moral të lartë dhe na udhëzon drejt paqes së brendshme. Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet, forcohet në besim dhe rritet në devotshmëri”, ka shtuar Tërnava.

- Reklama -

Ai ka kujtuar rëndësinë e agjërimit si adhurim të sinqertë dhe thirrje për solidaritet shoqëror: “Agjërimi i muajit Ramazan është një nga adhurimet më të veçanta, sepse është ibadet që besimtari e kryen vetëm për hir të Krijuesit, me bindje të plotë, vullnet të lirë dhe sinqeritet të thellë shpirtëror. Ai e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët”.

Myftiu ka lidhur mesazhin e muajit të Ramazanit edhe me rëndësinë e unitetit kombëtar, duke kujtuar sakrificën për Pavarësinë e Kosovës.

“Historia jonë dëshmon se besimi ka qenë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar, veçanërisht në momentet kyç si shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur u kurorëzua një sakrificë e gjatë për liri, drejtësi dhe dinjitet”, potencoi ai.

- Advertisement -

Në përfundim, Tërnava ka uruar besimtarët dhe ka bërë thirrje për reflektim dhe bashkëpunim: “Le të lutemi që ky Ramazan të na gjejë më të bashkuar në vlera, më të fortë në besim dhe më të vendosur në mbrojtje të lirisë sonë. Le të jetë kohë reflektimi për thellimin e dashurisë ndaj fesë si burim drite dhe ndaj Kosovës si amanet i të parëve e përgjegjësi ndaj brezave që vijnë. Gëzuar dhe me fat muajin e bekuar Ramazan! Zoti e bekoftë popullin tonë dhe Republikën e Kosovës”./TEL

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme