Ekskluzive; Intervistoi: Dashnim HEBIBI
„Porosia ime kryesore për gjeneratën e re, e cila ka lindur, rritur dhe shkolluar në mërgim, është që në asnjë rast mos ta harrojnë gjenezën e tyre shqiptare, ta mësojnë gjuhën shqipe, pushimet t’i kalojnë çdo vit në atdheun e tyre amë, të investojnë sa më shumë financiarisht në projekte të ndryshme zhvillimore në Kosovë, Luginë të Preshevës, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, etj. Pra, mos ta harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare!“, na tha ndër të tjera, atdhetari i padorëzuar për të mirën e kombit, z.Rexhep Elezaj.
Unë, Rexhep Elezaj, u linda më 15 prill 1951, në Fshatin Saradran, Komuna e Istogut (Burim), Kosovë. Shkollën llore e kam kryer në vendlindje, Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe pranë Universitetit “Al-Az-har” në Kairo të Egjiptit.
Na isni pak për motivin dhe arsyet që iu shtynë të linit vendlindjen për të ardhur këtu?
Nuk kisha ndonjë motiv, por arsyeja për të ardhur në Gjermani, qytetin Ravensburg (1991), ishte ri-okupimi i Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë në vitin 1989, mbetja pa punë, masat diskriminuese, përndjekja politike si dhe rrezikimi i jetës time dhe të familjes, por edhe aspekti i mbijetesës ekonomike dhe sociale.
Me çfarë vështirësish jeni përballur në vitin e parë si mërgimtar?
Jo vetëm në vitin e parë, por edhe disa vite në vijim jam përballur me vështirësi të shumta si mërgimtar, siç ishte mos njohja mirë e gjuhës gjermane, statusi i parregulluar i qëndrimit si refugjatë, mos punësimi i menjëhershëm, banimi jo adekuat, vështirësitë për bashkimin familjarë (mbetja e fëmijëve në Kosovë te prindërit), etj.
Cila ka qenë puna e parë që keni arritur t›a gjenit në mërgim?
Puna e parë që e kam gjetur në mërgim ka qenë, vjelja e mollëve, sortimi i pemëve sipas kualitetit dhe llojit, pastaj puna në kultivimin dhe rregullimin e kopshteve (Gartenbau), postën gjermane, etj.
Për çka ju merr malli më së shumti nga të gjitha ato që keni lënë në atdhe?
Më së shumti më merr malli për vendlindjen, prindërit, motrat dhe vëllezërit, të afërmit, tokën, ujin, ajrin dhe bukuritë natyrore të trevës së Rugovës, nga edhe e kam prejardhjen gjenetike dhe familjare.
Diaspora shqiptare ka dëshmuar që di dhe mundet të organizohet në mbështetje të interesave kombëtare. Sipas jush, cili është niveli i organizimit të saj sot dhe çfarë potenciali kontribues përfaqëson diaspora jonë në ditët e sotme?
Diaspora shqiptare në Gjermani, ku ende jeton familja ime, ka dëshmuar me vepra konkrete, se donë, dinë dhe mundet të organizohet nëshërbim të ruajtjes së interesave të popullit shqiptar në Ballkan, sidomos para dhe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Maqedoni, ajo është treguar se është shpirti dhe koka e patriotizmit, organizimit, e mobilizimit kombëtar, politik, ekonomik dhe ushtarak. Mërgata shqiptare në Evropë dhe vendet tej-oqeanike, e ka ndihmuar çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës në përmasa historike në të gjitha sferat e jetës, sidomos në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Evropë dhe botë, pastaj edhe në tubimin e shumave marramendëse nanciare, materiale dhe paisjeve ushtarake, duke dërguar në frontet e luftës djemtë më të mirë të saj, një numër i të cilëve ka rënë dëshmorë në vijat e para të frontit.
Niveli i organizimit të mërgatës tonë sot ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e para dhe gjatë luftës çlirimtare (1990-2000), dhe kjo për shumë shkaqe, ndër më kryesorët është kthimi i kujdesit ndaj familjes, punës dhe bizneseve, por edhe për shkakun se Kosova u çlirua dhe u pavarësua, ndërsa gjendja e shqiptarëve të mbetur nën okupimin e Serbisë dhe Maqedonisë, sado kudo, ishte qetësuar, por ende ka ngelur e pazgjidhur..!?
Si e kaloni kohën e lirë kur nuk jeni në punë?
Kohën e lirë e kaloj duke lexuar, shkruar artikuj dhe kolumne për gazeta ditore dhe revista shqiptare në Kosovë dhe mërgatë, meqë në mënyrë aktive merrem me publicistikë si gazetar shumëvjeçar. Ec dhe bëj lëvizje zike, merrem me not, etj.
Sa mendoni që ka arritur të integrohet gjenerata e re e diasporës shqiptare në shtetin ku ju jetoni e veproni?
Gjenerata e re e mërgimtarëve tanë në Gjermani, ku unë ende jetoj kohë pas kohe, lirisht mund të thuhet se ajo është integruar gati plotësisht në jetën dhe shoqërinë gjermane, dhe, atë në të gjitha fushat e jetës, dhe kjo e bënë jetën e tyre në mërgim më të lehtë, më të lumtur si dhe më të mirë në aspektin social- ekonomik. Është gjë tejet pozitive fakti, se edhe gjenerata e re është rritur dhe brumosur me ndjenjat patriotike ndaj atdheut, atje ku u kanë lindur dhe janë rritur prindërit e tyre. Kjo në masë të madhe ka ndikuar që të rinjtë tanë në diasporë të mos asimilohen dhe mos ta harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare, gjuhën dhe adetet e trashëguara shqiptare.
Sipas mendimit tuaj, për çfarë mbështetje konkrete të shteteve shqiptare ka nevojë urgjente diaspora shqiptare?
Diaspora shqiptare, kudo në botë, nevojë urgjente ka riorganizimin e shkollës shqipe, kudo që ata gjenden, ngase ajo ishte e organizuar shumë më mirë në vitet e paraluftës në Kosovë, se sa sot 20 vite pas çlirimit të saj, dhe kjo përgjegjësi bie kryekëput mbi ministritë përkatëse për diasporë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Në këtë plan ato kanë rënë plotësisht në provim të cilat pothuajse asgjë nuk kanë ndërmarrë për hapjen dhe organizimin e shkollës plotësuese shqipe në mërgatën tonë anë e kënd botës..!?
Cili është kapitali juaj shpirtëror, të cilin keni arritur ta krijoni dhe me të cilin ndjeheni krenar?
Pasuria ime shpirtërore që kam arritur ta krijoj dhe me të cilën ndjehem krenar është ruajtja e identitetit kombëtar shqiptar të fëmijëve të mi, të rritur dhe shkolluar në mërgim. Ata sot pas 25 viteve qëndrimi dhe shkollimi në Gjermani, ndjehen shqiptar, flasin dhe e shkruajnë mirë gjuhën shqipe, dhe për këtë fakt unë ndjehem shumë krenar!
A keni bërë plane se ku ti kaloni vitet pas pensionimit?
Meqë tani edhe jam në pension, unë vitet e mia më shumë i kaloj në atdhe, në Pejë, ku e kam shtëpinë, se sa në Gjermani, ku herë pas here shkoj tek fëmijët e mi si dhe për ndonjë punë tjetër administrative.
Cila është porosia juaj për gjeneratën e re të komunitetit shqiptar që po rritet në diasporë?
Porosia ime kryesore për gjeneratën e re, e cila ka lindur, rritur dhe shkolluar në mërgim, është që në asnjë rast mos ta harrojnë gjenezën e tyre shqiptare, ta mësojnë gjuhën shqipe, pushimet t’i kalojnë çdo vit në atdheun e tyre amë, të investojnë sa më shumë financiarisht në projekte të ndryshme zhvillimore në Kosovë, Luginë të Preshevës, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, etj. Pra, mos ta harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare!
I keni thënë vetes, ‘pse kam ardhur në gurbet’?
Këtë pyetje natyrshëm ia shtron vetes secili mërgimtar shqiptar, sepse të gjithë e dinë, se derisa jetojnë si mërgimtarë, janë njerëz dhe qenie e huaj në shtetet ku jetojnë dhe punojnë, e dinë se aty janë të përkohshëm, dhe se një ditë duhet të kthehen në atdheun e tyre amë, në vendin ku u kanë lindur prindërit dhe atje ku i kanë varret e të parëve të tyre. Ata duhet ta dinë, se vendi i huaj kurrë i tyre nuk bëhet..!
Mendoni, se të kanë shkuar shumë vite, duke menduar, se një ditë do të kthehesh në atdhe?
Po, kanë shkuar shumë vite, por edhe gjithë jeta ime si mërgimtar më ka shkuar duke menduar dhe planifikuar që një ditë të kthehem në atdhe, dhe ky ka qenë preokupimi im më i madh shpirtëror dhe mendor, se si një ditë së bashku me familjen time të kthehemi në Kosovë, aty ku e kemi origjinën dhe tokat tona shekullore!
Çka kujton më së shumti nga atdheu?
Nga atdheu kujtoj çdo gjë, por më së shumti fëmijërinë dhe rininë e bukur, ani pse si shqiptarë kishim një jetë të vështirë nën okupimin e rënd të regjimit komunist ish jugosllav, kur atdheu im, Kosova martire vritej, masakrohej, diskriminohej dhe torturohej në mënyrë sistematike nga regjimi jugosllav, kur shqiptarët dëboheshin çdo ditë nga vatrat e tyre shekullore!
Si ishte jeta e mërgimit më herët dhe si është sot, apo cila periudhë për Ju është më e mirë, ajo më e hershmja, apo kjo?
Pa dyshim, jeta e mërgimtarit në vitet e 90-ta ishte shumë më e vështirë se sa sot, sepse periudha e atyre viteve dallon shumë nga kjo e sotmja në çdo aspekt, meqë edhe rrethanat politike, ekonomike dhe tekonologjike tanimë janë më të volitshme për jetë dhe punë për mërgimtarët tanë në diasporë. Kanë ndryshuar edhe ligjet e vendeve nikoqire të cilat të huajve u mundësojnë punësim dhe jetë më të mirë në vendet ku ata aktualisht gjenden.
Çka nuk i falni vetes?
Ajo që nuk i fal vetes në jetë është mospjesëmarrja ime në frontin e luftës çlirimtare në Kosovë, dhe këtë gabim nuk mund t’ia fali vetes kurrë.
Gjatë gjithë kësaj kohe sa jeni në gurbet, keni tuar më shumë apo keni humbur?
Kam humbur më shumë.
Mendoni, se edhe në të ardhmen, gjeneratat e reja, që jetojnë e veprojnë në Zvicër, Gjermani, etj., nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe?
Jo, jam shumë i sigurtë se këto gjenerata nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe, hiq këtu raste të pakta.
Sikurse të ishte e mundur, që të vish edhe njëherë prej llimit në gurbet, çka kishe bërë ditën e parë?
Kisha filluar me mësimin e gjuhës gjermane.
Për fund të kësaj interviste, ku kishe dashur, të pish pikën e fundit të ujit të kësaj bote?
Pikën e fundit të ujit të kësaj bote, kisha dashur ta pij në vendin ku jam lindur dhe askund tjetër në botë, sepse vdekja do ishte më e ëmbël se sa jeta. (Kjo intervistë është botuar edhe në librin “Atdheu Portativ” nga BASHKËSIA SHQIPETARE E QYTETIT TË RIJEKËS DHE PBM, RIJEKA në vitin 2020 dhe ribotuar në vitin 2024 nga Asociacioni qytetarë ¨BUJANOCI¨ me qendër në Zvicër)
helveticALforum.ch