
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Mbrëmje madhështore atdhetarie në Winterthur – Ansambli “Trojet” kremton 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Winterthur, 15 shkurt, 2026 – Në një atmosferë të jashtëzakonshme festive, të mbushur me emocione, krenari kombëtare dhe pjesëmarrje të gjerë të bashkatdhetarëve nga të gjitha trevat shqiptare, Ansambli Trojet organizoi një manifestim madhështor në Winterthur për të shënuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në praninë e qindra pjesëmarrësve nga e gjithë diaspora shqiptare, kjo mbrëmje u shndërrua në një festë të vërtetë kombëtare, ku kultura, tradita dhe kujtesa historike u bashkuan në një program artistik të pasur dhe emocional. E pamundur as me shkrim por as me syrin e fotokamerës të përshkruhet festa, por vetëm me zemra të pastra thuhet e vërteta: “Ju lumtë o shqiponja të Ansamblit “Trojet”.

Që në hyrje të sallës, atmosfera krijonte ndjesinë e një feste në atdhe: flamujt kombëtarë, i Kosovës, dekorimet festive, muzika tradicionale dhe mikpritja e ngrohtë shqiptare e bënin çdo mysafir të ndihej pjesë e një familjeje të madhe.

Hyrja pa biletë, pra falas dhe pjesëmarrja e madhe familjare e theksuan edhe më shumë karakterin komunitar dhe atdhetar të këtij manifestimi, duke e kthyer mbrëmjen në një koncert familjar, ku çdo prind ndjente krenari për paraqitjet e fëmijëve të tij në skenë dhe nuk ishte qëllim fitimi por kujtese e krenarie.

Mysafirët u pritën me përzemërsi nga presidenti i ansamblit, veprimtari i njohur, Zeqë Gashi, i cili, pavarësisht një gripi sezonal dhe lodhjes së dukshme, qëndroi gjatë gjithë kohës në hyrje të sallës duke mirëpritur të pranishmit dhe duke i orientuar ata me buzëqeshje, në një mënyrë që kujtonte pritjet tradicionale shqiptare në dasma dhe festa familjare.

E Taip Zeqiri me buzeqeshjen e tij të veçant tregonte se te ky ansambël është model i një shoqerie se të gjithë ndihen si anetarë të një familjeje. Në koridor të sallës ishin shtruar gatime tradicionale shqiptare – fli, lakrorë, turshi dhe ëmbëlsira të ndryshme – duke e bërë edhe më të plotë atmosferën e sofrës shqiptare.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe shumë personalitete të jetës shoqërore, kulturore dhe diplomatike, ndër ta ambasadori i RMV në Bernë, Rexhep Demiri; përfaqësuesja nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, Ardita Mustafa; ish-konsulli i Kosovës në Cyrih (Zürich), Dr. Sali Sefa; Prof. Dr. Xhavit Lipaj; Prof. Naser Ulaj; poeti dhe publicisti Gani Bytyqi; kryetari i nderit i rrjetit të biznesmenëve në Zvicrën qendrore Florim Useini; veprimtari nga Lugina e Preshevës Bekim Imeri; si dhe shumë veprimtarë të tjerë të diasporës.

Manifestimi u drejtua me profesionalizëm dhe elegancë nga moderatorja Sherife Ejupi Zeqiri, e cila me një prezantim të qetë dhe të përzgjedhur i dha ritëm tërë programit. Hapja e mbrëmjes nisi me një skenë artistike simbolike – një djep me një foshnje të vendosur në qendër të skenës dhe një këngë me motive patriotike që përkujtonte nënat shqiptare që ndër breza kanë rritur fëmijët me dashuri për atdheun.

Ky moment i veçantë krijoi emocione të thella tek publiku, duke e vendosur menjëherë tonin e mbrëmjes.

Fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetari i ansamblit Blerim Bunjaku, i cili falënderoi pjesëmarrësit, sponsorët dhe të gjithë ata që kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e kulturës shqiptare në diasporë.

Pas interpretimit të himnit kombëtar dhe himnit të Kosovës, të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë, ndërsa në sallë mbizotëroi një atmosferë solemniteti dhe krenarie.

Fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve institucionalë dhe diplomatikë vlerësuan rolin e ansamblit në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë, ndër ta ambasadori Rexhep Demiri dhe përfaqësuesja konsullore Ardita Mustafa, të cilët theksuan rëndësinë e aktiviteteve kulturore në ruajtjen e gjuhës dhe traditës tek brezat e rinj.

Programi artistik përfshiu një repertor të gjerë vallesh dhe këngësh nga të gjitha trevat shqiptare. Në skenë u paraqitën grupet e të vegjëlve, të rinjve dhe të rriturve me valle tradicionale nga Tirana, Drenica, Gjakova, Malësia dhe veriu i trojeve shqiptare, duke sjellë një mozaik të pasur folklorik.

Publiku i ndoqi me interes të madh interpretimet, ndërsa duartrokitjet e vazhdueshme dëshmonin vlerësimin për punën e gjatë përgatitore të fëmijëve, instruktorëve dhe prindërve.

Momente të veçanta emocionale u krijuan gjatë recitimeve poetike dhe interpretimit të këngëve patriotike, ndërsa një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve të kombit e bëri sallën të përjetojë një çast reflektimi të përbashkët. Këngët kushtuar lirisë dhe historisë kombëtare, përfshirë ato dedikuar heroit Adem Jashari, u pritën me duartrokitje të gjata dhe shpeshherë publiku u bashkua në këndim.

Një tjetër moment kulmor i mbrëmjes ishte paraqitja në skenë e Dr. Sali Sefa, i cili mbajti një fjalim emocional për sakrificat e luftëtarëve të lirisë dhe sfidat që vazhdojnë të përballen shqiptarët në rrugëtimin e tyre historik.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e tij shumëvjeçare ndaj aktiviteteve kulturore të diasporës, ai u shpall anëtar nderi i ansamblit, mirënjohje e dorëzuar nga ambasadori Rexhep Demiri i zgjedhur nga presidenti i ansamblit dhe kryesia, ishte një moment që u shoqërua me duartrokitje të gjata dhe emocione të dukshme në sallë.

Gjatë gjithë mbrëmjes, ajo që binte më shumë në sy ishte pjesëmarrja e madhe e fëmijëve dhe të rinjve, të cilët me kostumet tradicionale dhe performancat e tyre dëshmuan se kultura shqiptare në diasporë jo vetëm që ruhet, por edhe përcillet me krenari tek brezat e rinj. Prindërit, të emocionuar, regjistronin çdo paraqitje me telefonat e tyre, duke e bërë këtë manifestim një kujtim të çmuar familjar.

Programi artistik i mbrëmjes
- Hapja e festës
- Himni Kombëtar dhe hapja zyrtare e programit
- Fjala përshëndetëse e kryesisë – nënkryetari Blerim Bunjaku
- Përshëndetje nga përfaqësuesit diplomatikë dhe mysafirët e nderit
- Vallja e Tiranës – grupi i të vegjëlve
- Recital i shkruar nga prof. dr. Xhavit Lipaj, interpretuar nga Shqipdon Lipa; një minutë heshtje për dëshmorët e kombit
- Vallja e Drenicës – grupi i të rriturve
- Recitime dhe këngë – grupi i të vegjëlve
- Vallja e Gjakovës – grupi i mesëm
- Marisa Murtezi – kënga “A vritet pafajësia”
- Vallja e Malësisë – grupi i të vegjëlve
- Marisa Murtezi, me përcjellje të Rezart dhe Arbnor Kuqi – “Besa Besë”
- Vallja me motive nga Veriu – grupi i të rriturve
- Shaqir Demaj – këngë me lahutë
- Eliza Zeqiri – “Lindur në mërgim”
- Vallja e Mollavës – grupi i të rriturve
- Vëllezërit Kuqi (Rezart & Arbnor):
- “Ti na erdhe pavarësi”
- “Po pyet bota e mbarë” (kushtuar Adem Jasharit)
- Vallja me motive të Malësisë së Madhe – grupi i të rriturve
- Ceremonia e shpalljes së anëtarit të nderit të ansamblit
- Mbyllja e programit manifestiv dhe fillimi i programit të lirë me valle dhe këngë
Vëllezërit Kuqi si dy bilbila, shembull i jashtëzakonshëm, se rinia nuk do ta harroj atdheun e të parëve
Pas një programi që zgjati rreth tri orë dhe që mbajti publikun të përfshirë gjatë gjithë kohës, mbrëmja u përmbyll me program të lirë vallesh dhe këngësh, ku të rinj e të moshuar vallëzuan së bashku në një atmosferë të ngrohtë festive. Kjo festë dëshmoi edhe një herë se diaspora shqiptare vazhdon të mbetet e lidhur fort me rrënjët e saj dhe se aktivitetet kulturore si ky manifestim janë ura të rëndësishme që e mbajnë të gjallë identitetin kombëtar.

Kremtimi i 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga Ansambli “Trojet” mbeti një dëshmi e qartë se dashuria për atdheun nuk zbehet as larg tij dhe se brezat e rinj të mërgatës po rriten me të njëjtin përkushtim, krenari dhe përgjegjësi për ta ruajtur historinë, gjuhën dhe traditën shqiptare. Ju lumtë president Zeqe Gashi me kryesinë, anëtarët dhe prinderit e padyshim falënderime patën edhe për sponsorët. Të përkrahim Ansamblin se po e ruajnë dhe po e përcjellin brez pas brezi traditat e gjuhën tonë kombëtare.

Në përmbyllje, kjo mbrëmje madhështore në Winterthur dëshmoi qartë se Ansambli Trojet nuk është thjesht një shoqatë kulturore, por një vatër e gjallë atdhetarie, edukimi dhe bashkimi kombëtar në diasporë. Kremtimi i 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova u shndërrua në një manifestim të identitetit, kujtesës historike dhe krenarisë kombëtare, ku u ndërthurën arti, tradita, historia dhe emocionet e një populli që, edhe larg atdheut, mbetet i lidhur fort me rrënjët e tij.

Pjesëmarrja e madhe e fëmijëve dhe të rinjve në skenë ishte dëshmia më e fuqishme se mërgata shqiptare nuk po e humb identitetin, përkundrazi, po e kultivon dhe po e forcon atë ndër breza. Përkushtimi i prindërve, puna e palodhshme e drejtuesve dhe mbështetja e komunitetit treguan se kur ekziston vullneti dhe dashuria për atdheun, çdo sfidë tejkalohet.

Kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një festë për një datë historike, por një mesazh i qartë uniteti, solidariteti dhe përgjegjësie për ta ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë tonë kulturore. Manifestime të tilla janë ura të forta lidhëse ndërmjet diasporës dhe vendlindjes, duke dëshmuar se dashuria për Kosovën nuk zbehet me distancën.

Përkundrazi, ajo forcohet dhe shprehet përmes kulturës, artit dhe angazhimit qytetar. Ansambli “Trojet” me këtë organizim tregoi se diaspora shqiptare në Zvicër mbetet një forcë e gjallë kombëtare, e bashkuar rreth vlerave të përbashkëta dhe e vendosur për t’ia përcjellë brezave të rinj historinë, gjuhën dhe traditën me krenari e dinjitet.

Kjo mbrëmje do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve si një dëshmi se atdheu jeton në zemrat e bijve dhe bijave të tij kudo që ndodhen.
P.S;
Video keni në FB te helveticALforum.ch
(Foto nga Florim USEINI dhe Dea-Eda HEBIBI)




