Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj, siç ka thënë ajo, përpjekjeve për ta barazuar luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se një qasje e tillë minon besimin në drejtësi dhe dëmton rëndë paqen afatgjatë.
Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, duke nënvizuar se kjo e vërtetë historike nuk mund të ndryshohet përmes tentimeve për rishkrim të historisë apo njollosje të përpjekjes së popullit të Kosovës për liri.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka rikujtuar se Serbia ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar se gjatë luftës së fundit synimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit shqiptar.
Sipas presidentes, ky synim u manifestua përmes vrasjes dhe masakrimit të mijëra civilëve, dhunimeve masive, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80 për qind të qytetarëve nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik dhe zhdukjes me dhunë të mijëra personave.
Reagimi i Osmanit vjen në ditën kur Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West, gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare, ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon shpalljen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës dhe shqiptimin e një dënimi unik, të bazuar në kontributin individual të secilit të akuzuar në krimet e pretenduara. Çështja ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, ndërsa institucionet dhe qytetarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe trajtim të barabartë të krimeve të kryera gjatë luftës, transmeton rtk.




