Remitancat e dërguara nga diaspora në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.42 miliard eurosh, duke shënuar një rritje prej 4.4% krahasuar me vitin 2024, apo rreth 60 milionë euro më shumë. Të dhënat për muajin dhjetor mbeten ende preliminare dhe pritet të finalizohen në fund të muajit shkurt.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), pjesa më e madhe e remitancave vazhdon të vijë nga Gjermania, e cila përbën rreth 39% të totalit. Pas saj renditen Zvicra me 17.5%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.2%, Austria me 4.2%, Italia me 3.9%, si dhe Belgjika dhe Franca me nga 3.4% secila.
Sa i përket mënyrës së dërgimit të parave, rreth 55% e remitancave janë transferuar përmes agjencive për transfere të mjeteve, 17% përmes bankave, ndërsa 28% përmes kanaleve të tjera. Kjo strukturë mbetet pothuajse e pandryshuar krahasuar me vitin paraprak, duke reflektuar stabilitet në mënyrat e përdorura nga diaspora për dërgimin e mjeteve financiare.
Mesatarja mujore e remitancave gjatë vitit 2025 ka qenë rreth 117.9 milionë euro. Prurjet më të mëdha janë regjistruar gjatë muajve korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë gjatë sezonit të verës dhe festave të fundvitit.
Remitancat vazhdojnë të mbeten një nga burimet kryesore të mbështetjes financiare për ekonominë e vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në konsumin familjar, stabilitetin social dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, transmeton rtk.




