Kanceri i zorrës së trashë është tani shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri te njerëzit nën 50 vjeç. Studimi më i fundit, i botuar nga revista prestigjioze e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë (JAMA), tregon se shkalla e vdekjeve nga sëmundjet tumorale ka rënë me 44% që nga viti 1990, por vetëm vdekjet nga ky lloj kanceri janë rritur. Edhe në Shqipëri, sëmundshmëria nga kanceri i zorrës së trashë është dyfishuar në 10 vitet e fundit, sipas shifrave zyrtare.
“E vërteta është se rastet me kancer të zorrës së trashë këto 10 vitet e fundit kanë pësuar rritje. Ka edhe raste që prekin moshat e reja. Piku që preket më shumë është mosha 50 vjeç e lart, por nuk përjashtohen edhe moshat në të 40-at apo më herët; kuptohet, nuk janë të shpeshta”, u shpreh prof. Enton Bollano, pranë Shërbimit të Kirurgjisë Digjestive në QSUT.
Prof. Enton Bollano, nga Shërbimi i Kirurgjisë Digjestive në QSUT, thotë për RTSH se ushqimi, hormonet, stili i jetesës dhe predispozita gjenetike akuzohen si shkaktarët kryesorë.
“Akuzohet mishi i kuq, për shembull, si shkaktar, po kështu edhe alkooli, duhani, jeta sedentare dhe obeziteti. Kryesisht janë pacientët që vuajnë nga sëmundje inflamatore të zorrës së trashë, si koliti ulçeroz dhe Morbus Crohn (një sëmundje kronike, autoimune inflamatore e zorrëve), të cilët me kalimin e kohës mund të diagnostikohen me kancer”, u shpreh mjeku.
Profesori thotë se përgjithësisht rastet nuk paraqiten në stade të avancuara. “Check-up”-i ka rritur ndjeshëm referimet e hershme.
“Pacientët që sot kryejnë ‘check-up’ kanë të përfshirë edhe analizën e feçeve për gjak okult dhe rezultatet e kësaj analize i nxisin pacientët të paraqiten më herët nëse kanë probleme”, tha ai.
Por kur duhet të shqetësohemi dhe të jemi në kushtet e një kontrolli urgjent te mjeku?
“Ndryshimet në defekim, herë konstipacion e herë diarre, apo diarreja e mëngjesit janë të rëndësishme; defekimi me gjak të denatyruar, me mukus, rënia në peshë, anemia dhe trashëgimia. Mbi 18% e polipeve, sidomos e një lloji polipi të zorrës së trashë, me kalimin e kohës degjeneron në kancer dhe pacientët që kanë trashëgimi duhet të ndiqen me kolonoskopi”, tha mjeku.
Në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, operacionet trajtohen sipas protokolleve dhe standardeve. Klinika universitare disponon të gjitha ekzaminimet moderne të nevojshme dhe këto ndikojnë jo vetëm në rritjen e mundësisë së diagnostikimit të hershëm dhe të shpejtë, por edhe në një trajtim shumë herë më të mirë.
“Klinika kirurgjikale është elitare në trajtimin e kancerit të zorrës së trashë”, tha ai.
Protokollet depistuese kombëtare, prof. Bollano i cilëson si çështje të politikëbërësve, por referuar studimeve sugjeron kryerjen e kolonoskopisë pas moshës 45 vjeç.
“Një studim i publikuar 6 muaj më parë në SHBA për kancerin kolorektal specifikonte se çdo pacient që ka një nga shenjat, si çrregullimet e defekimit, defekimi me gjak të denatyruar apo trashëgimia, duhet patjetër të kryejë kolonoskopi”, tha prof. Bollano.
Në Shqipëri, kolonoskopia rekomandohet çdo 10 vjet, analiza e feçeve për gjak okult çdo dy vjet dhe imunokimia çdo dy vjet nga Sonila Mlloja, transmton rtsh.




