Nga rrugicat me baltë të Elbasanit ku luante futboll si fëmijë, te skenat prestigjioze të Operës së Nicës, Kanës, Monakos dhe bashkëpunimet me Radio Francë apo Filarmoninë e Luksemburgut, rrugëtimi i Kledis Rexhos është sa atipik, aq edhe frymëzues.
Sot ai nuk është vetëm një violinist i suksesshëm në Evropë, por edhe krijuesi i “Life and Music Concept Orchestra”, një projekt novator që thyen barrierat mes klasikes, Rock-ut, Blues-it dhe Folk-ut.
Në një intervistë me Andri Xhahun për emisionin “Në Radio” që transmetohet në Radio Tirana 1, Rexho tregon se pavarësisht suksesit ndërkombëtar, rrënjët e tij mbeten në Tiranë, te hapat e parë në Akademinë e Arteve. Ai shprehet se lidhja me vendlindjen është organike.
“Sa herë jam në Shqipëri, çuditërisht zgjohem herët sepse në vitet e studimeve gjithmonë në orën 6 të mëngjesit isha duke studiuar tek Akademia e Arteve që quhej atëherë. Tani vjen në mënyrë natyrale të çohem dhe në 6 e gjysmë e gjej veten para Akademisë së Arteve, bëj një xhiro dhe kthehem.”
Kjo disiplinë e hershme është gurthemeli i karrierës së tij.
“Është nostalgji dhe ndjenjë falënderimi për profesorët sepse më dhanë dëshirën për të studiuar 7-8 orë në ditë. Ishte baza ime që më bëri të shkoja në Francë, të më hapeshin dyert. Nuk është e lehtë sepse atje vijnë nga e gjithë bota. Ka muzikantë që në moshën 10-vjeçare kanë fituar konkurse ndërkombëtare. Kur mendoj ndonjëherë në këtë moshë unë luaja futboll në Elbasan dhe kthehesha gjithë baltë në shtëpi. Kam fat që luaj me këta muzikantë. Kam një rrugëtim pak atipik por jam i kënaqur.”
Rexho nuk është prototipi i muzikantit të ftohtë që kufizohet brenda partiturave. Ai kërkon kontaktin njerëzor, qoftë ky me publikun e gjerë apo me personalitete botërore. Gjatë një koncerti në Kuvajt, ai u surprizua nga një vlerësim i veçantë.
“M’u afrua një zonjë e shoqëruar me diplomatë. Më tha që kur ju shoh duke luajtur violinë më jepni një ndjenjë qetësie dhe paqeje. Sinqerisht më preku. Më pas pyeta kush është kjo zonjë dhe më thanë që është Princesha e Kuvajtit. E falënderova me mesazh. Kemi ruajtur komunikimin. Më pyet se si janë nga shtëpia dhe i them mamasë që pyeti Princesha e Kuvajtit për ty” (qesh).
Ky magnetizëm që ai krijon në skenë është vënë re edhe nga emra të mëdhenj të artit, si Virginie Robillard, violiniste dhe pedagoge në Lozanë të Zvicrës. Megjithëse në fillimet e tij 15 vite më parë mund ta kishte kritikuar për shkak të vëmendjes te performanca më shumë se sa te teknika, sot vlerësimi është krejt tjetër: “Më tha një gjë që më pëlqeu shumë: ‘Për mua je violinist i popullit’. Ke aq shumë kontakt me publikun saqë është një gjë e veçantë”.
Për Kledisin, violina është një mënyrë për të promovuar vlerat shqiptare dhe për t’u shërbyer atyre që kanë më shumë nevojë. Ai kujton me emocion performimin e këngës arbëreshe në një kishë në Nicë.
“U thashë publikut që tani do ju bëj të zbuloni një pjesë 600-vjeçare shqiptare ‘Moj e bukura more’. U tregova historinë duke promovuar dhe vlerat shqiptare. Publiku e pëlqeu shumë.”
Në këtë koncert, ai ftoi anëtarë të një shoqate të të verbërve, një eksperiencë që e përloti: “Është akoma më e vështirë kur ti luan përpara personave që nuk shohin sepse ata çdo gjë e perceptojnë në mënyrën se si vjen tingulli dhe ndjenja. Ata më thanë që ne kemi dëshirë ta këndojmë këtë pjesë. Kemi vendosur të bëjmë një koncert me pjesën “Moj e bukura more” dhe të tjera”.
Angazhimi i tij social shtrihet te gratë e dhunuara, fëmijët me aftësi ndryshe dhe qendrat sociale. Për të, një sallë prestigjioze nuk peshon më shumë se buzëqeshja e një fëmije të një qendre sociale.
“Edhe unë kam nevojë të jem afër tyre. Të luash në Opera dhe salla prestigjioze është shumë bukur, por mua më plotëson të luaj edhe për një publik të tillë. Në një koncert për fëmijët me aftësi ndryshe, kur mbarova më thanë: ‘Kledis e di çfarë mrekullie ka ndodhur? Zakonisht nuk dëgjojmë më shumë se 15 minuta, por qëndruan një orë duke dëgjuar dhe duartrokitën’. Mua këto më japin kënaqësi.”
Me Orkestrën e Operës së Nicës, Kledis Rexho do të jetë i pranishëm çdo javë para publikut francez. Megjithatë, ambicia e tij mbetet te thyerja e kornizave. “Do bëj një koncert të veçantë, një koncert Rock dhe Blues. Po mundohem që ta organizoj. Është një vepër madhore, diçka krejtësisht ndryshe.”, transmeton rtsh.




