2.5 C
Zurich
Friday, January 30, 2026
spot_img
spot_img

Mbipopullimi i burgjeve në Shqipëri alarmon Këshillin e Europës, Rama publikon deklaratën e zyrtarit të lartë europian

Duhet ti lexosh

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një deklaratë të Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës, lidhur me përdorimin e masës së paraburgimit në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë theksoi se praktika e arrestimit me burg pa gjyq ka sjellë një bilanc të papranueshëm për një vend europian, duke alarmuar institucionet ndërkombëtare.

“Dyshimi i arsyeshëm”, kjo formulë që ka marrë në qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, po edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm, është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë,” shkruan Rama, duke cituar fjalën e Espositos mbajtur një ditë më parë në Tiranë.

Gjatë prononcimit të tij, Gianluca Esposito ngriti shqetësimin për mbipopullimin e burgjeve dhe përdorimin e tepruar të paraburgimit nga gjykatat shqiptare.

“Mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për administratën shqiptare të burgjeve dhe këtë nuk e them unë. Këtë e thotë Komiteti ynë për Parandalimin e Torturës. Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Gjykata për të Drejtat e Njeriut vëren gjithashtu se autoritetet gjyqësore kombëtare duhet të marrin në konsideratë marrjen e masave më pak dëmtuese sesa paraburgimi në fazën para nisjes së gjyqit, në varësi të rrethanave specifike të çështjes. Është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore kombëtare të sigurojnë që, në një rast të caktuar, paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm.

Gjykata për të Drejtat e Njeriut thotë qartë se barra e provës në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyeve që justifikojnë lirimin e tij. Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë rishikimeve periodike,” tha Esposito.

Sipas tij, situata aktuale ka alarmuar Këshillin e Europës, i cili rekomandon që autoritetet shqiptare të rishikojnë praktikat gjyqësore dhe të zbatojnë masa alternative ndaj paraburgimit, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, transmeton rtsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme