Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua sot në Bruksel me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare dhe angazhimeve të Kuvendit për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë. Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces transformues i institucioneve dhe i jetës së përditshme të qytetarëve.
Në fokus të bisedës ishte progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Nga ana tjetër, Presidentja Metsola vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit, bashkëpunimin e Parlamentit Europian me Kuvendin.
Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë u cilësua si një sinjal i angazhimit të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj europiane.
Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit u shoqërua nga një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga Igli Hasani, Kryetar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Evis Kushi, Zv/Kryetare e Komisionit për Arsimin, Shkencën dhe Sportin, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha, transmeton euronewsal.




