Në kuadër të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi takim pune me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.S. Nives Tiganj. Në këtë takim u riafirmua se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe lidhjet tradicionale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë përbëjnë bazë të qëndrueshme për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të biznesit, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian dhe lidhjes rajonale.
VLEN mbështet vlerësimin se shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve po shënon rritje të vazhdueshme, me theks të veçantë në rritjen e eksportit të Maqedonisë së Veriut drejt Kroacisë, si dhe identifikimin e potencialeve të reja për bashkëpunim në sektorë strategjikë si industria ushqimore, energjetika, farmacia, ndërtimtaria, prodhimi industrial dhe turizmi. Një rëndësi e veçantë iu kushtua investimeve të huaja direkte, ku u theksua trendi pozitiv i rritjes së investimeve kroate në vend, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, industrinë përpunuese dhe teknologjinë informative. Në këtë drejtim, VLEN riafirmon përkushtimin për krijimin e një klime të favorshme afariste, përmes politikave zhvillimore dhe stimujve konkretë për tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve cilësore të punës.
VLEN mbetet e përkushtuar në forcimin e diplomacisë ekonomike, organizimin e forumeve të biznesit dhe nxitjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet odave ekonomike dhe kompanive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë, në interes të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve./BS




