Nga Dahest LUMA, Prishtinë
Pas promovimit të suksesshëm në Langenthal të Zvicrës, librat “Udhëtim drejt Rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një Rrugëtimi Diplomatik” po zgjojnë interes të veçantë për t’u prezantuar edhe në vende të tjera të Evropës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në trojet shqiptare, konkretisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.
Autorët PhD. Dashnim Hebibi dhe z. Florim Useini sjellin para lexuesit vepra që shkojnë përtej formës së zakonshme të librit. Këto botime nuk janë thjesht faqe të shtypura, por përfaqësojnë dëshmi të mendimit kritik, përvojës jetësore dhe angazhimit intelektual, duke reflektuar identitetin, rrënjët dhe rrugëtimin personal e profesional të autorëve.
Promovimi në Zvicër u vlerësua si një ngjarje kulturore me rëndësi, duke mbledhur bashkë intelektualë, veprimtarë kulturorë dhe bashkatdhetarë, të cilët shprehën interes dhe gatishmëri që këto libra të promovohen edhe në qendra të tjera kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.
Kërkesat për promovime të reja dëshmojnë se temat e trajtuara në këto libra janë aktuale, universale dhe të ndjeshme për publikun shqiptar kudo që ndodhet. Ato prekin çështje të identitetit, diplomacisë, rrënjëve kombëtare dhe sfidave të rrugëtimit personal e shoqëror, duke i dhënë lexuesit mundësi reflektimi dhe dialogu.
Në këtë kontekst, promovimet e ardhshme në Evropë, SHBA, Kosovë dhe RMV pritet të shndërrohen në ura lidhëse mes diasporës dhe atdheut, duke forcuar rolin e librit si mjet komunikimi, kujtese dhe vizioni për të ardhmen, transmeton helveticALforum.ch




