-0.2 C
Zurich
Thursday, January 22, 2026
spot_img
spot_img

Kongresi Amerikan vendos Luginën e Preshevës në agjendë: Hap historik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi

Duhet ti lexosh


Nga Ragmi Mustafi, ish kryetar i Këshillit Nacional për Luginën e Preshevës

Më 21 janar 2026, Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi me mbështetje dypartiake H.R. 6411, të njohur si Preshevo Valley Discrimination Assessment Act. Ky zhvillim përbën një moment historik për Luginën e Preshevës dhe për shqiptarët etnikë që jetojnë në Republikën e Serbisë.

Rezoluta, e paraqitur më 3 dhjetor 2025 në Kongresin e 119-të nga Kongresisti Keith Self (Republikan – Teksas), me bashkë-sponsorizim nga Kongresisti Eugene Simon Vindman (Demokrat), obligon Sekretarin e Shtetit të SHBA-së që të përgatisë dhe dorëzojë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqyrtimi dhe miratimi i rezolutës nën kryesimin e Brian Mast, me mbështetjen e Ranking Member Gregory Meeks dhe anëtarëve të tjerë të komitetit, dëshmon konsensus të qartë dypartiak.

Raporti i kërkuar do të adresojë çështje kyçe që për vite me radhë kanë qenë burim diskriminimi sistematik: pasivizimin administrativ të adresave të banimit, pengesat në qasjen në dokumente civile, kufizimet në ushtrimin e të drejtave politike, mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave, përdorimin e gjuhës shqipe, qasjen në arsim dhe media, shpërndarjen e pabarabartë të fondeve publike, si dhe pretendimet për intimidim nga organet e rendit.

Rëndësia e kësaj nisme nuk qëndron vetëm në përmbajtjen e saj, por në faktin se për herë të parë çështja e Luginës së Preshevës trajtohet formalisht në një dokument zyrtar të Kongresit Amerikan, brenda mekanizmave të politikës së jashtme të SHBA-së dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë dypartiake. Kjo krijon një kornizë të re të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe e vendos Serbinë përballë përgjegjësive të saj për respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ky është një sinjal i qartë se zëri i tyre po dëgjohet dhe se shqetësimet e tyre po institucionalizohen në nivelin më të lartë të politikëbërjes amerikane. Për rajonin, ky hap përforcon parimin se stabiliteti i qëndrueshëm ndërtohet vetëm mbi barazi, drejtësi dhe respektim të të drejtave themelore.

Tani mbetet që ky proces të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm diplomatik dhe me veprime konkrete, në mënyrë që raporti i kërkuar të shërbejë si bazë për politika që sjellin ndryshim real në jetën e përditshme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme