E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, ka pritur sot në takim Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham/OEAK), Arian Zekën, si dhe Presidentin e Bordit të OEAK-së, Lorik Fejzullahun.
Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, në qendër të takimit ka qenë thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, me fokus në krijimin e një klime më të favorshme për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ambasada vlerësoi rolin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë si një urë kyçe lidhëse për kompanitë amerikane, duke theksuar se AmCham kontribuon në promovimin e një mjedisi mikpritës për biznes, si dhe në ndërlidhjen e kompanive përmes delegacioneve drejt ShBA-së.
“Si një urë kyçe për kompanitë amerikane, AmCham ndihmon në promovimin e një klime mikpritëse për biznesin dhe lidh bizneset përmes delegacioneve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës – duke mbështetur investimet dypalëshe dhe rritjen e përbashkët”, thuhet në postimin e Ambasadës në Facebook.
Në përmbyllje të reagimit, Ambasada e ShBA-së e cilësoi AmCham-in si “Partnerin e preferuar të ShBA-së”, duke riafirmuar mbështetjen për forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, transmeton rtk.




