Ambasada e Shqipërisë në Zvicër vlerëson një mbrëmje të veçantë kulturore në Langenthal, kushtuar librit, diplomacisë dhe forcimit të lidhjeve me diasporën shqiptare
Një ngjarje kulturore me vlera të veçanta për diasporën shqiptare u zhvillua më 17 janar 2026 në Langenthal, në zemër të Zvicrës, duke u shndërruar në një pikë takimi të rëndësishme të librit, diplomacisë dhe identitetit kombëtar.

Mbrëmja kulturore, e organizuar për promovimin e librave “Udhëtim drejt Rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një Rrugëtimi Diplomatik”, të autorëve Dr. Dashnim Hebibi dhe z. Florim Useini, iu kushtua Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri.

Siç mëson helveticALforum, aktiviteti është vlerësuar me fjalët më të mira edhe nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Helvetike, e cila përmes përfaqësuesve të saj theksoi rëndësinë e rolit që kultura dhe libri luajnë në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.
Në këtë mbrëmje morën pjesë personalitete nga fusha e diplomacisë, kulturës dhe jetës publike, të ardhur nga Zvicra, Gjermania, Italia, Shqipëria dhe Kosova.

Ambasada e Shqipërisë u përfaqësua nga Zj. Monika Zguro, e Ngarkuar me Punë, si dhe nga z. Valon Gashi, Sekretar i Parë.
Gjatë aktivitetit u theksua roli i bashkëpunimit institucional dhe i veprimtarive kulturore në ndërtimin e urave të qëndrueshme mes shtetit amë dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zj. Monika Zguro nënvizoi se në një kohë kur emigrimi, lëvizja dhe ndërkulturaliteti janë bërë pjesë e pandashme e realitetit të përditshëm, vepra të tilla marrin një domethënie të veçantë. Sipas saj, libri shërben si një urë lidhëse mes brezave, vendeve dhe përvojave të ndryshme jetësore, duke ruajtur gjallë kujtesën, identitetin dhe vlerat kombëtare.

Një moment kulmor i mbrëmjes ishte ndarja, për herë të parë, e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” nga Instituti Helvetik i Studimeve për Evropën Juglindore, i themeluar nga Dr. Dashnim Hebibi. Ky çmim iu akordua Ambasadorit Rexhep Demiri, në prani të z. Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemalit, duke i dhënë kësaj ceremonie një simbolikë të veçantë historike dhe kombëtare.

Në përmbyllje, Ambasada e Republikës së Shqipërisë përgëzoi organizatorët, Dr. Dashnim Hebibi dhe z. Florim Useini, për realizimin e një mbrëmjeje dinjitoze dhe me nivel të lartë kulturor, e cila dëshmoi edhe një herë se kultura dhe fjala e shkruar mbeten ura të fuqishme bashkimi për shqiptarët kudo që ndodhen, transmeton helveticALforum.ch

Foto nga Daut Luboja, mjeshtër




